Departamenti i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë sugjeron përmirësimin e klimës së biznesit, si dhe investimin tek arsimi dhe kualifikimi i forcës punëtore për një ekonomi të qëndrueshme në vend.
Studimi mbi “Sfidat e ekonomisë shqiptare për një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë” i kryer nga Banka e Shqipërisë ka treguar se kursimet e shqiptarëve shkojnë për ndërtime të reja, të cilat nuk prodhojnë zhvillim dhe rritje.
Pritet që kërkesat për ndërtime të reja dhe investimet në këtë sektor të vijojnë në periudhën afatmesme, të nxitura edhe nga tërmeti i fundvitit të shkuar. Por kjo do të frenojë investimin e parave në fusha të tjera.
Banka Shqiptare sugjeron që shteti të ndihmojë duke përmirësuar klimën e biznesit, në mënyrë që të nxiten firmat private dhe investimi në prodhimtari.
Ilir Vrika nga Departamenti i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë tha për Monitor se së shpejti pritet një tkurrje e ndjeshme demografike dhe se mungesa e infrastrkuturës dhe punonjësve të kualifikuar janë probleme kryesore për ekonominë në Shqipëri.