Dhjetëra familje të zonës së Unazës së Re protestuan sot kundër prishjes së shtëpive dhe bizneseve të tyre që preken nga ndërtimi i një segmenti rrugor.
Banorët sqarojnë se ka pasur devijime nga projekti fillestar i rrugës dhe se ata janë lajmëruar vetëm tre ditë më parë që ndërtesat e tyre, rreth 270, do të prishen.
Fillimisht projekti për rikualifikimin urban të zonës së njohur si ‘Astiri’ nuk parashikonte ndërtimin e një rruge dytësore që lidh Sheshin Shqiponja me zonën e Astirit, por Autoriteti Rrugor Shqiptar, tre ditë më parë ka lajmëruar banorët për projekin e ri dhe për prishjen e banesave dhe bizneseve në këtë zonë.
Banorët pretendojnë se devijimi i projektit është bërë për arsye klienteliste, për t’i shërbyer interesit të disa biznesmenëve që duan të ndërtojnë pallate në këtë zonë:
“Të bëhet projekt, nuk e kundërshtojmë rrugën, por të bëhet siç është për ta bërë, sic është rruga. Këta po bëjnë prishje selektive. Se andej [nga ana tjetër] oligarkët e qeverisë e kanë rrethuar vendin me llamarina, është tokë boshe. Këtej është toka me banorë, por banorët i shtypin ata.”
Shumë prej banorëve të kësaj zonë i kanë shtëpitë ende në proces legalizimi ndaj dhe dëmshpërblimi që i takon të marrin nga shteti është shumë i ulët.