Banorët e Astirit kanë nisur sot sërish protestën në mbrojtje të shtëpive të tyre pasi janë lajmëruar nga punonjësit e IKMT-së se e hëna është afati i fundit për lirimin e banesave që preken nga projekti i dyshimtë i Unazës së Madhe.
Por banorët shprehen se janë lajmëruar vetëm verbalisht dhe jo përmes një dokumenti apo urdhëri siç e parashikon ligji. Ata kundërshtojnë urdhërin e IKMT-së për të liruar banesat:
“Prej më shumë se një viti kemi kundërshtuar këtë projekt, edhe sot u mblodhëm për ta kundërshtuar. Mendojnë se kanë fituar betejën me banorët e Unazës së Re, vijnë si banditë, nuk lajmërojnë banorët për prishjen e shtëpive”, u shpreh njëri prej banorëve.
Ata u shprehën të vendosur për t’i bërë rezistencë kujtdo që tenton të prishë pronat e tyre.
Banorët denoncuan faktin se për skandalin e madh të tenderit të Unazës së Madhe, të cilin e fitoi një kompani fantazëm, DH Albania, shteti shqiptar nuk ka vënë asnjë person para përgjegjësisë.
Në protestën e tyre ka shkuar dhe ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, që e ka mbështetur kauzën e banorëve të Astirit që prej fillimit. Ai tha se Partia Demokratike mbështet qytetarët e Astirit në protestën për shtëpitë e tyre:
“PD ka një kontratë më banorët e Astirit dhe do t’i qëndrojë asaj deri në fund. Ky pushtet arriti derisa përdori plumbat e gomës kundër grave dhe fëmijëve. Keni mbështetjen e PD-së pa limit.
PD në qeveri do ta ndjekë këtë çështje. Koha ku në Shqipëri nuk mbahet përgjegjësi ka mbaruar. Të gjithë do të vihen para drejtësitë. Këtu bëhet fjalë për jetën e qytetarëve. Nuk bëhet fjalë vetëm për pak beton dhe zhavorr, por për miliona euro. Ne do t’i vëmë para përgjegjësisë kur të jemi në pushtet.”
Historiku i shkurtër i tenderëve problematikë për Unazën e Madhe:
Në vitin 2018 kompanitë Biba X dhe DH Albania fituan tenderin për rikonceptimin e rrethrrotullimit. Në nisje të punimeve ato prishën sheshin dhe infrastrukturën e rrugës duke ndikuar edhe më keq në gjendjen e trafikut. Zbulimi se kompania DH Albania kishte falsifikuar dokumenta bëri që tenderi të bllokohej.
Pak pasi ishte zbuluar skandali i falsifikimit të dokumentave autoritetet rihapën tenderin, por ky tender u mbyll pa fitues dhe shumë informacione me arsyen se nuk u plotësuan kriteret.
Për të zhbllokuar situatën, Bashkia Tiranë propozoi projekt tjetër, që kërkonte edhe tender tjetër. Me projektin e ri rrethrrotullimi kthehet kryqëzim me nënkalim dhe kompanitë që e kanë fituar janë Salillari dhe Bajrami N shpk për 14,5 milionë euro.