Banorët e fshatit Lumas kanë paditur në SPAK kryeinspektorin e Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit në Tiranë, Albert Zybeja.
Në kallëzimin penal të firmosur nga 123 banorë të Lumasit kërkohet ndjekje penale për “shpërdorim detyre” për kryeinspektorin, raporton Balkanweb.
Sipas banorëve, ai nuk ka marrë asnjë masë dhe ka lejuar të vazhdohet të punohet në Kanionin e Sinecit pavarësisht se IKMT Elbasan kishte konstatuar shkelje ligjore.
Në kallëzim thuhet se kryeinspektori Zybeja nuk ka vazhduar procedurat për pezullimin e punimeve në Kanionin e Sinecit dhe për gjobitjen e firmës Salillari që po kryente punimet. Ata e akuzojnë atë gjitashtu se po mundohet të zhbëjë procesverabalin e mbajtur nga ana e 3 inspektoreve të IMT Elbasan.
Të enjten banorët e Lumasit kanë paditur SPAK, pronarin e kompanisë Salillari, Pëllumb Salillari.
Ata e akuzojnë Salillarin se ka prerë kurorën e pishave, ka djegur 30 hektarë pyje dhe ka shfrytëzuar shtratin e lumit Osum, për ta shfrytëzuar sipërfaqen për gurore.
Banorët e Lumasit kanë mbi 2 muaj që përplasen me kompaninë Salillari për të ndaluar ndërtimin e ujësjellësit në burimin e Sinecit, monument kulture.
Kanioni i sinecit (Saraselit) apo i ashtuquajturi “syri i kaltër” i Beratit është një pasuri natyrore. Në dhjetor 2002, ai u shpall me vendim qeverie monument natyre, për shkak të shumëllojshmërisë së bimëve e specieve të ndryshme.
Por në vitin 2019, qeveria Rama e shfuqizoi këtë vendim duke i hequr Kanionit të Sinecit mbrojtjen si “monument natyror” dhe duke i hapur rrugën shfrytëzimit dhe transformimit të tij.