Banorëve të Valiasit në Kamëz u është thënë se duhet të lirojnë shtëpitë e tyre të dëmtuara nga tërmeti deri në fund të gushtit, por nuk u është thënë se ku do të jetojnë.
Një vëzhgim nga Citizens Channel zbuloi se një bllok banesash në Valias, që u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, do të shembet sipas një vendimi të qeverisë në qershor. Valiasi është shpallur zonë e re zhvillimore dhe është caktuar Fondi Shqiptar i Zhvillimit si institucioni që do ta zbatojë vendimin e qeverisë.
Problemi është se banorët nuk janë njohur me ndonjë projekt për rindërtimin e shtëpive të tyre dhe as nuk dinë se ku do të strehohen ndërkohë.
Disa thanë që shtëpitë e tyre as nuk janë vlerësuar nga autoritetet. Me afrimin e ditës së prishjes, banorët janë të frikësuar nuk kanë ku të shkojnë.
Një grua që foli për portalin tha se e vetmja shtëpi që mund të gjente me bonusin e qirasë prej 15,000 lekësh nuk kishte energji elektrike dhe as ujë, në Bathore.
Gruaja gjithashtu pretendoi se asnjë përfaqësues i institucioneve nuk ka zhvilluar dëgjesa me banorët dhe se ajo është vënë në dijeni të projektit vetëm sepse i kanë telefonuar për të marrë bonusin e qirasë.
Shumë banorë ngritën çështjen e mungesës së transparencës dhe konsultimit me ta nga autoritetet. Ata duan qartësi se çfarë do të ndodhë me shtëpitë e tyre, ku do të jetojnë, dhe kur do të fillojnë prishjet ose ndërtimet.
Kërkesat për lirinë e informacionit pranë Bashkisë Kamëz lidhur me projektin kanë mbetur pa përgjigje. Kërkesa u apelua pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, por përsëri, asnjë informacion nuk është bërë publik. Fondi Shqiptar i Zhvillimit u përgjigj se nuk ka një plan për rindërtimin e ndërtesave në fjalë.