Banorët e Valiasit rrezikojnë të mbeten në rrugë, asnjë plan rindërtimi për banesat e dëmtuara nga tërmeti

Nga Exit News
Banorët e Valiasit rrezikojnë të mbeten në rrugë, asnjë plan rindërtimi për banesat e dëmtuara nga tërmeti

Banorëve të Valiasit në Kamëz u është thënë se duhet të lirojnë shtëpitë e tyre të dëmtuara nga tërmeti deri në fund të gushtit, por nuk u është thënë se ku do të jetojnë.

Një vëzhgim nga Citizens Channel zbuloi se një bllok banesash në Valias, që u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, do të shembet sipas një vendimi të qeverisë në qershor. Valiasi është shpallur zonë e re zhvillimore dhe është caktuar Fondi Shqiptar i Zhvillimit si institucioni që do ta zbatojë vendimin e qeverisë.

Problemi është se banorët nuk janë njohur me ndonjë projekt për rindërtimin e shtëpive të tyre dhe as nuk dinë se ku do të strehohen ndërkohë.

Disa thanë që shtëpitë e tyre as nuk janë vlerësuar nga autoritetet. Me afrimin e ditës së prishjes, banorët janë të frikësuar nuk kanë ku të shkojnë.

Një grua që foli për portalin tha se e vetmja shtëpi që mund të gjente me bonusin e qirasë prej 15,000 lekësh nuk kishte energji elektrike dhe as ujë, në Bathore.

Gruaja gjithashtu pretendoi se  asnjë përfaqësues i institucioneve nuk ka zhvilluar dëgjesa me banorët dhe se ajo është vënë në dijeni të projektit vetëm sepse i kanë telefonuar për të marrë bonusin e qirasë.

Shumë banorë ngritën çështjen e mungesës së transparencës dhe konsultimit me ta nga autoritetet. Ata duan qartësi se çfarë do të ndodhë me shtëpitë e tyre, ku do të jetojnë, dhe kur do të fillojnë prishjet ose ndërtimet.

Kërkesat për lirinë e informacionit pranë Bashkisë Kamëz lidhur me projektin kanë mbetur pa përgjigje. Kërkesa u apelua pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, por përsëri, asnjë informacion nuk është bërë publik. Fondi Shqiptar i Zhvillimit u përgjigj se nuk ka një plan për rindërtimin e ndërtesave në fjalë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>