Barometri i Ballkanit: Korrupsioni dhe varfëria mbizotërojnë në Shqipëri

Barometri i Ballkanit: Korrupsioni dhe varfëria mbizotërojnë në Shqipëri

Dje Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) prezantoi në Bruksel raportin Barometri Ballkanik 2017, “një studim i përvitshëm i opinionit të qytetarëve dhe komuniteteve të biznesit mbi situatën në rajon”.

Barometri Ballkanik mat situatën socio-ekonomike në Ballkanin Perëndimor në bazë të 100 pyetjeve që i janë drejtuar 1,000 shtetasve shqiptarë mbi 18 vjeç.

Sa i përket Shqipërisë ka disa rezultate shqetësuese. Para së gjithash, efekti i fortë i propagandës së qeverisë se Shqipëria “së shpejti” do të hapë negociatat e pranimit në BE duket se i ka dhënë efektet e tij.

Pyetur se kur presin që shteti i tyre të hyjë në Bashkimin Evropian, 35 për qind e shqiptarëve të pyetur përgjigjen deri në vitin 2020. 37 për qind deri në vitin 2025. Krahasuar me gjithë vendet e tjera të rajonit, shqipëtarët janë më optimistët edhe pse gjatë gjithë kohës është theksuar nga zyrtarët evropianë se pas bllokimit të anëtarësimeve, pra pas vitit 2020 të parat që do të anëtarësohen janë Serbia dhe Mali i Zi, pasi bisedimet me këto dy vende janë shumë më përpara se sa me shtetet e tjera të rajonit.

Një numër tjetër është gjithashtu i rëndësishëm lidhur me marrëdhënien Shqipëri-BE. 55 për qind e të intervistuarve dëshiron që Shqipëria të bashkohet me BE-në për të punuar ose studiuar atje – me fjalë të tjera, për t’u larguar nga Shqipëria. Kjo përputhet me numrat e lartë të imigracionit të paligjshëm nga Shqipëria në BE vitet e fundit.

Sa i përket të dhënave socio-ekonomike, panorama është edhe më e zymtë. 23 përqind e të intervistuarve e përshkruajnë veten si të papunë, përqindja më e madhe në rajon. Për të marrë një vend pune, 46% për qind e shqiptarëv mendojnë se miqtë apo familja “në pozicione të rëndësishme” janë të nevojshëm. Ky numër është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2015 kur vetëm 30 për qind mendonin kështu, duke treguar përhapjen edhe më të madhe të nepotizmit nën qeverinë e Rama.

Me nepotizmin vjen dhe korrupsioni. 54 përqind e të intervistuarve shqiptarë raportojnë se kanë paguar ryshfet në një institucion shëndetësor në 12 muajt e fundit, ndërsa 19 për qind kanë korruptuar një gjyqtar ose prokuror dhe 14 për qind i kanë dhënë ryshfet një polici. Siç vëren raporti:

“Shqipëria duket të jetë bindshëm përpara ekonomive të tjera në rajon kur bëhet fjalë për përhapjen e ryshfetit.”

Së fundmi, të dhënat nga Barometri Ballkanik tregojnë se pothuajse gjysma e të intervistuarve shqiptarë raportojnë se nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpinë e tyre në mënyrë adekuate të ngrohtë, ndërsa 69 për qind nuk ​​kanë para qoftë dhe për një javë pushimi në vit. 39 për qind e të intervistuarve nuk janë në gjendje të paguajnë qiranë e tyre ose faturat e shërbimeve.

Pra, kjo është e vërteta e qartë që del nga raporti: në krahasim me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, korrupsioni dhe varfëria qeverisin në Shqipëri dhe ekziston vetëm një zgjidhje: vendi të futet në BE dhe qytetarët të mund të largohen ligjërisht nga vendi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>