Lulzim Basha falenderoi sot ndjekësit e tij në Instagram për mendimet e tyre mbi problemet e arsimit të lartë në vend:
“Jam shumë i befasuar që brenda pak orëve, mijëra prej jush, ndjekës të mi në instagram, i jeni përgjigjur pyetjes se cili do të ishte vendimi i parë që do të merrnit, nëse do t’ju besohej drejtimi i Ministrisë së Arsimit”.
Ai premtoi se sapo të vijë në pushtet do të anullojë ligjin e arsimit të lartë:
“Mes mijëra sugjerimeve, komenteve dhe propozimeve spikat sugjerimi për të anulluar ligjin për arsimin e lartë, që është edhe pika e parë e programit tim, programit të Partisë Demokratike për arsimin e lartë”.
Anullimi i këtij ligji është pjesë e Platformës së Arsimit të Lartë të prezantuar nga PD, në maj 2019. Gjatë prezantimit të platformës, në maj, Basha premtoi edhe:
“75 milionë dollarë, në dispozicion për Arsimin e Lartë. 38 milionë dollarë për të financuar tarifat universitare të universitetet publike, ku studentët që vijnë nga një familje me më pak se 640 mijë lekë (të vjetra) do ta përfitojnë të plotë subvencionin e tarifave të Bachelor dhe Master. Për ato që kanë të ardhura mbi 640 mijë lekë (të vjetra) do të subvencionohen në masën 50 për qind”.