Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ftoi qytetarët e Elbasanit të bëhen bashkë me të për të sjellë ndryshimin, njësoj si para 8 viteve. Në takimin elektoral në Peqin, të mërkurën, Basha i premtoi qytetarëve se njësoj sikurse punoi për liberalizimin e vizave në 2009, do të anëtarësoj vendin në BE.
“Ashtu siç ju premtova ne 2009-ën në fushatën tonë se në do t’i hiqnim vizat [..] Sot kam ardhur t’ju them, 8 vite j’ua ka ulur kokën Edi Rama me bandat e tij, 8 vite ju ka keqtrajtuar, ju ka fyer [..]. . E pra, sot kam ardhur t’ju them le të bëhemi edhe njëherë bashkë, dita e ndryshimit po afron”, i tha Basha, banorëve në Peqin.
“Dhe ndryshimi që po vjen është përfundimi i rrugës që kemi nisur bashkë duke e çuar Shqipërinë drejt Europës”, shtoi ai.
Basha i kërkoi qytetarëve të mos votojnë më Edi Ramën, sepse ai nuk ka bërë asgjë në 8 vite:
“Tmerri dhe frika që ka kapur nga revolta popullore, nuk fshihet dot as me teatër, as me cirk, as duke përsëritur të njëjtat premtime që ka bërë për 8 vite me radhë.[…] Shqiptarët e dinë fare mirë se çfarë i bëhet atij njeriu, i mbyllet dera në fytyrë, i thuhet boll më, ik, largohu!”.
Ai premtoi edhe falje të faturave të papaguara të energjisë elektrike:
“Me familjet e Peqinit që vazhdojnë të paguajnë paratë e marrëveshjes me bandën e OSHE-së, ju përsëris, siç u thash familjeve të Durrësit, amnisti që ditën e parë, atë 25 mijë lekësh do të jenë në xhepat tuaj dhe jo të bandës të OSHE-së”.