“Për të nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të plotësojë sa më parë kushtet e vendosura nga Bundestagu,” – kështu u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një konferencë për shtyp me gazetarët pas takimeve që zhvilloi në Kroaci dhe Gjermani me zyrtarë evropianë.
Kryetari i PD-së tha se:
“Theksi që kanë vendosur drejtuesit më të lartë të BE ka qenë tek përmbushja e kushteve […] për ne shqiptarët kjo nuk është diçka e re. Prej 25 shtatorit, Bundestagu ka miratuar një rezolutë, ku ka paralajmëruar se Shqipërisë do t’i hapen negociatat pas përmbushjes së 9 kushteve […] pozicioni i Bundestagut është edhe qëndrimi i PPE-së”.
Zoti Basha i renditi gazetarëve disa prej kushteve të vendosura nga Bundestagu:
- Miratimi i reformës zgjedhore
- Hetimi ndëshkimi dhe largimi i krimit nga proceset zgjedhore
- Ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe marrja e një vendimi prej saj për zgjedhjet e 30 Qershorit
- Respektimi i dekriminalizimit
- Ngritja e SPAK dhe BKH për të hetuar zyrtarët dhe politikanët
- Luftë ndaj krimit të organizuar
- Progres në reformimin e administratës publike, depolitizimi i saj
Kryetari i PD-së zhvilloi në fundjavë takime me zyrtarë gjermanë dhe evropianë, pasi mori pjesë në kongresin e Partive Popullore Evropiane (PPE) dhe të Partisë Kristian-Demokrate të Gjermanisë (CDU) në Zagreb dhe Lajpcig.
Gjatë fjalës me gazetarët Zoti Basha theksoi se Shqipëria “po zhytet në krizë të paprecedentë” dhe “ekonomia po vuan pasojat e koncesioneve korruptive”. Ai tha se vonesat për ngritjen e SPAK dhe BKH-së, “kanë ardhur nga qeveria Rama”. Kryetari i PD-së më pas këmbënguli se opoztia do të mbrojë Kushtetutën dhe se do ta mbështesë tubimin e thirrur më 8 dhjetor nga Presidenti Meta.