Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh sot i gatshëm për të diskutuar ndryshimet e sistemit zgjedhor, por këmbënguli se nëse nuk garantohet ndarja e politikës nga krimi dhe ndëshkimi i krimeve zgjedhore cilido qoftë sistemi do të dështojë.
Zoti Basha u shpreh kështu përpara takimit në selinë e PD-së me përfaqësuesit e tjerë të opozitës. Sipas Kryetarit të PD-së “fajin nuk e ka sistemi” dhe “kjo alibi është e dështuar”.
Ai theksoi se “vendi është në krizë të thellë politike” dhe se kësaj krize “do t’i jepet fund këtë vit”. Kjo deklaratë ishte replikë ndaj Kryeministrit Rama, i icli më herët në Vjenë, përpara prezantimit të programit të Presidencës së Shqipërisë në OSBE, tha se “kriza politike është artificiale”.
“Kam qenë dhe jam i hapur për të diskutuar me të gjithë qytetarët se cili sistem zgjedhor do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nisur nga praktikat e 7 viteve të fundit mund të themi se cilido sistem të zgjidhet do të dështojë nëse nuk garantojmë ndarjen e politikës nga krimi, ndaljen e blerjes së votave dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore nga një drejtësi e pavarur.
Alibia se fajin e ka sistemi fajin mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës, për kapjen e gjithë kupolës së PS-së duke blerë vota. Unë zgjedh të besoj Bundestagun dhe jo Ramën. Vendi është në një krizë të thellë politike. Këtë shqiptarët e ndjejnë në lëkurën e tyre.
[…] Pushteti i tij personal e ka zhytur vendin në një krize legjitimiteti. Axhenda ime është ekonomia, dinjiteti dhe mirëqenia e çdo shqiptari. Në funksion të kësaj jemi gati të hedhim çdo hap”.