Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar këtë të hënë një takim me një grup drejtuesish të PD ku në fokus ka qenë qëndrimi që do të mbahet në publik në lidhje me vendimin për të përjashtuar ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së.
Në mbledhje kanë qenë deputetët Tomor Alizoti, Belind Këlliçi, Ervin Salianji, Alfred Rushaj, Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Gazment Bardhi.
Burime të Exit.al njoftojnë se Basha ka kërkuar nga ky grup deputetësh që të mbajnë qëndrim në publik për këtë çështje.
Pas mbledhjes për mediat foli vetëm deputeti Agron Gjekmarkaj i cili tha se vendimi ndaj Berishës ishte e vetmja mundësi që kishte Lulzim Basha.
“Duket se ishte shtegu i vetëm për të kaluar”, tha Gjekmarkaj.
Ish-kryeministri Berisha nuk e njeh vendimin për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar duke e quajtur ‘nul’ dhe anti-statutor.
Ai ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime sipas statutit “për t’i kthyer legjitimitetin PD”.
Lidhur me këtë nismë të Berishës, deputeti Gjekmarkaj tha gjatë prononcimit për mediat se “beteja për statut që mund të bëjë Berisha s’janë të kalibrit të tij, janë beteja të vogla”.
Mbledhja e grupit të deputetëve të PD u zhvillua pak orë pas mbledhjes së Kuvendit ku do të zgjidhen kryetarët dhe përbërja e komisioneve parlamentare, sekretariatet dhe dy nënkryetarëte e Kuvendit.