Kreu i Partisë Demokratike kërkoi të martën votëbesimin e demokratëve të Beratit në garën për t’u rikonfirmuar në krye të partisë.
Basha deklaroi se PD nuk kishte asnjë pushtet në zgjedhjet e 25 prillit dhe se “pavarësisht të gjithë makinacioneve dolëm më të fortë, më të mëdhenj, më të bashkuar“.
Basha aludoi se moszgjedhja e tij në krye të PD-së shkon në favor të qeverisë.
“Mos t’ja japim kënaqësinë kundërshtarit që nga kjo garë që ne e bëjmë për të respektuar rregullat që na mbajnë bashkë, ta ndërpresim rrugëtimin që kemi nisur bashkë dhe që e kemi çuar shumë afër stacionit final,” u shpreh Basha.
Ai i ftoi demokratët të vazhdonin betejën për zgjedhjet e lira.
“Kush mendon se beteja mbaroi me 25 prill e ka gabim , kush mendon se do të na ulë në gjunjë e ka dy herë gabim,” deklaroi Basha në takimin e mëpasshëm në Urën Vajgurore.