
Kryetari i PD-së Lulzim Basha i kërkoi qeverisë të sigurojë vaksinën kundra gripit të stinës falas për të gjithë qytetarët me qëllim shmangien e ndërlikimeve të tjera përveç Covid-19.
“Qeveria duhet te marrë urgjentisht masat dhe të sigurojë vaksinën e gripit falas për të gjithë popullsinë në vjeshtë. Kjo do të mbronte shqiptarët nga influenca e stinës dhe komplikacionet e saj, dhe do të ndihmonte sistemin tonë shëndetësor për ta patur atë të gjithin në dispozicion dhe të përgatitur për ta përballuar pandeminë covid-19”, shkroi Basha në një postim në Facebook, të dielën.
Basha i bëri thirrje të gjithëve të marrin masa për “të lehtësuar sa më shumë sistemin shëndetësor dhe mjekët dhe infermierët që janë përditë në vijën e parë të betejës me virusin”.