Basha, kopja dhe opozita

Nga Bilbo
Basha, kopja dhe opozita

Duke komentuar lajmin se qeveria ka vendosur të zvogëlojë taksat për biznesin e vogël, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Rama se ka kopjuar programin e PD-së. “Një qeveri e mirë nuk bëhet duke kopjuar”, është shprehur Basha. Me sa duket, ai beson se idetë e PD-së i takojnë vetëm PD-së, dhe vetëm PD ka të drejtë t’i transformojë ato në aksion politik.

Deklarata e Zoti Basha është ilustrim i një prej arsyeve të rëndësishme pse nuk arrin të funksionojë si demokraci moderne parlamentare sistemi jonë politik. Në mënyrën e tij të të menduarit politik ka të paktën tre pikëpamje problematike.

Pika e parë ka të bëjë me konceptin e pronësisë mbi idetë apo recetat politike. Meqënëse Basha kuptoi se biznesi i vogël tërhiqet nga premtimet për lehtësi fiskale, edhe pse ato mund të jenë të pamatura, meqë ai ka nisur ta përdorë këtë argument shumë më herët se Rama, dhe me qëllim për të kundërshtuar Ramën e politikën e tij kundër informalitetit, ai ndjeu se i kishin grabitur një argument, ose më mirë një instrument që e kishte konsideruar vetëm të tijin. Me sa duket, Basha kërkon që nëse idetë dhe zgjidhjet e tij bëhen publike, ato duhet t’i njihen atij si ekskluzivitet personal e të përdoren vetëm prej tij. Pak a shumë si koncepti i markave të regjistruara apo patentave tregtare i transferuar në fushën e ideve dhe të politikës.

Në fakt ky pretendim më shumë duket si sjellja tipike e një fëmije që ka pak gjëra (në këtë rast ide) e që është lodhur shumë për t’i gjetur dhe që nuk pranon t’ia përdorin të tjerët për të luajtur.

Pika e dytë ka të bëjë me qëllimin politik, ose më mirë me qëllimin e të bërit politikë. Nga deklarata e Bashës kuptohet se qëllimi i tij nuk është ndërmarrja e një politike që ai dhe partia e tij e konsiderojnë të drejtë për vendin (shembull: ulja e taksave për biznesin e vogël), por qeverisja e vendit nga ai dhe partia e tij, me çdo mjet dhe me çfarëdo recete.

Pika e tretë ka të bëjë me rolin e opozitës në një sistem parlamentar demokratik. Sipas Bashës, qëllimi i opozitës është të pengojë qeverinë të qeverisë, të bllokojë me protesta dhe manifestime çdo aksion të saj, për të krijuar pakënaqësi që mund t’i përdorë më pas, gjatë proçesit elektoral. Dhe në fakt menjëherë pas ankesave mbi kolegun që i vodhi idetë, Basha doli me kërkesën për zgjedhje të parakohshme, pra në thelb me kërkesën për të ardhur ai në pushtet.

Basha nuk duket i interesuar të mbrojë një grup shoqëror votën e të cilit synon. Nëse do ishte kështu ai do ta kishte përshëndetur iniciativën e Ramës si një sukses të opozitës, e cila e detyroi qeverinë të ndryshonte politikën e saj ndaj biznesit. Por ai është i interesuar vetëm për të ardhur në pushtet sa më shpejt, pasi ka frikë se një funksionim i papritur i iniciativës së qeverisë mund t’i heqë atij votat e pakënaqësisë.

Skema bipolare e Bashës, thelbi i filozofisë dhe kulturës së tij politike, është që qeveria qeveris (vjedh dhe përfiton) dhe opozita kërkon ta pengojë (proteston dhe manifeston) vetëm për t’i zënë vendin, kushdo qoftë në qeveri e kushdoqoftë në opozitë. Këtu qëndron dhe pika kritike e sistemit politik shqiptar: nëse roli i qeverisë është i qartë (pasi e kemi mësuar që në komunizëm), askush nuk e ka ende të qartë cili është roli i opozitës, pavarësisht se cila është partia politike në opozitë.

Në një demokraci më pak anormale se kjo e jona, Basha do të duhej t’i shpjegonte popullit, nga i cili pretendon votën, se pse duhet të votojë për të dhe jo për tjetrin. Por shpjegimet e vetme për të tërhequr votën e njerëzve që janë hasur deri më sot në Shqipëri janë ato për një udhëheqës më të ndriçuar apo më të shkolluar dhe, sikurse u shpall dikur nga një eksponent socialist, për “të vjedhur ndryshe”, pra për të mos vjedhur hapur fare. Të dyja këto arsye kanë qënë dështime të kushtueshme për vendin dhe shoqërinë.

Udhëheqësit pa strategji, pa metoda, pa një skuadër që ndan të njejtat vlera politike e morale, e kanë sjellë vendin deri në këtë pikë ku jemi, dhe gara kush vjedh më pak është vetëm një mënyrë tjetër për të emërtuar garën se kush vjedh më shumë.

Duhet që dikush të dijë se për çfarë shërben opozita, sepse historia e sistemit parlamentar ka treguar që mungesa e një opozite të vërtetë lejon degjenerimin e çdo qeverie.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>