Basha, do të mbështes çdo akt qytetar dhe politik në mbrojtje të ligjit

Basha, do të mbështes çdo akt qytetar dhe politik në mbrojtje të ligjit

Lulzim Basha, Kryetari i PD-së në një sërë takimesh në jug të Shqipërisë, komentoi kalimin e pushteti lokal nga kryebashkiakët e djathtë tek kryebashkiakët socialistë, këto të fundit u votuan vetëm nga 10 përqind e qytetarëve.

Ai u shpreh se ai vetë dhe PD do të mbrojnë çdo punonjës, i cili refuzon aktin e vjedhjes si dhe çdo punonjës që është i detyruar për shkak të shantazhit apo presionit t’i nënshtrohet paligjshmërisë.

“Në çdo aksion, në çdo veprim, në çdo akt qytetar dhe politik, keni dhe do të keni mbështetjen time, mbështetjen e Partisë Demokratike.

Çdo punonjës që kryen aktin heroik të refuzimit të vjedhjes, të refuzimit të hajdutërisë, ka sot dhe do të ketë nesër sigurinë time personale dhe politike për këtë akt kushtetues dhe të ligjshëm, sikundër anasjelltas, çdokush që për arsye dobësie personale, shantazhi apo presioni, detyrohet t’i nënshtrohet paligjshmërisë, mund të mbështetet tek zbatimi i ligjit dhe jo tek toleranca. Ata që bëhen shërbëtorë të hajdutit të Bashkisë, ta harrojnë se do të ketë tolerancë për ta”.

Basha komentoi edhe marrjen e Bashkisë së Devollit përmes Forcave Speciale të Policisë:

“Pakica kriminale prej 6 përqind ka uzurpuar aktualisht, në mënyrë hajduteske, godinën e bashkisë së Devollit. 

Fati i tyre është fati që e pret çdo hajdut dhe çdo kriminel e në veçanti ata që marrin guximin të shkelin Kushtetutën dhe Ligjin e t’i mbivendosen vullnetit të qytetarëve.

Shpreh keqardhjen time më të thellë për keqpërdorimin e efektivëve dhe uniformës së policisë”.

Kryetari i opozitës theksoi sërish se ngritja ekonomike e Shqipërisë kalon përmes ‘rrëzimit të këtij regjimi hajdutësh’.

“Shqipëria është sot e varfër, sepse është e grabitur nga regjimi i hajdutit psiqik Edi Rama.

Shqipëria është sot e papunë, sepse buxheti i shtetit, pasuritë e vendit, pyjet, lumenjtë, minierat, nafta, të gjitha janë grabitur nga

Edi Rama dhe një grusht oligarkësh, që qëllim e objektiv të vetëm kanë hajdutërinë, grabitjen e pasurive të shqiptarëve.

Ekonomia sot është e shkatërruar, sepse 5 oligarkë dhe 5 banditë, me në krye Edi Ramën kontrollojnë gjithçka.

Dhënia fund e këtij regjimi është hapi i parë për t’i dhënë fund papunësisë, është hapi i parë për t’i dhënë fund varfërisë, është hapi i parë për t’i dhënë fund mjerimit ekonomik.

Shqipëria është e bllokuar në rrugën e saj evropiane, sepse Evropa nuk mund të pranojë kurrë një qeveri që qeveriset nga hajduti”, u shpreh Basha.

Ndërsa për Refomën në DrejtësI, kryeopozitari tha se “sado të ketë investuar Edi Rama dhe mercenarët e tij në kapjen e drejtësisë, sado të ketë investuar në shkatërrimin e gjykatave dhe kapjen e prokurorisë, shkelësit e Kushtetutës burgu i pret, hajdutët e buxhetit të PPP-ve, të koncensioneve, të pasurive dhe të taksave të shqiptarëve”.

Gjithashtu, ai e bëri të qartë se “13 tetori është data kushtetuese e zgjedhjeve lokale. Partia Demokratike është gati më 13 shtator, 13 gusht, 13 tetor, me 13 nëntor, në momentin e parë që ne do t’i garantojmë shqiptarëve lirinë e votës”.

Më herët, Basha u shpreh nga Librazhdi se të gjitha “të dhënat tregojnë se opozita e bashkuar është shumicë qeverisëse edhe sikur zgjedhjet e lira e te ndershme të mbahen nesër”. Ai theksoi se edhe socialistët e ndershëm i thanë jo babëzisë së Edi Ramës me bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>