Kreu i Partisë Demokratike zhvilloi një takim të hënën me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut Artan Grubi.
Pas takimit ai mbajti një komunikim me gazetarët ku i bëri apel qytetarëve të Maqedonisë që të regjistrohen.
Basha zbuloi detaje nga takimi, ku tha se tema kryesore e takimit ishte regjistrimi i popullatës në Maqedoninë e Veriut.
“Folëm për bashkëpunim mes dy vendeve tona, për njësimin e diplomave, apo të tjera lehtësira për dy vendet tona. Këto janë sfida, dhe oportunitete të jashtëzakonshme. Tema që e konsideroj kryesore, qendrore e këtij takimi është procesi i regjistrimit në Maqedoninë e Veriut, censusi”, tha Basha të hënën për gazetarët pas përfundimit të takimit.
Ai tha se censusi lidhet drejtpërdrejtë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Kreu i PD u shpreh se një regjistrim i saktë në veçanti i qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut “është me rëndësi, për të drejtat kushtetuese”.
“Jemi në kohë për t’i drejtuar një thirrje, në emrin e PD, në emër të çdo shqiptari, këtë thirrje ia drejtoj emigrantëve, diasporës, të mërguarve nga Maqedonia e Veriut, ndani 10-15 minuta nga koha juaj dhe kryeni regjistrimin online sepse kështu do të ndihmoni drejtpërdrejt familjet tuaja në Maqedoninë e Veriut, do ndihmoni garantimin dhe fuqizimin e të drejtave të tyre”, tha Basha.