Basha: Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë

Basha: Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi sërish ditën e sotme se “më 30 qershor nuk do të zhvillohen zgjedhje”. Basha e dha këtë deklaratë në një dalje për mediat në selinë e PD-ës, pasi kishte zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë të Shteteteve të Bashkuara Leyla Moses-Ones.

Si fillim Basha nuk e komentoi takimin, ndërsa i konsideroi lajmet e përfolura se “bashkitë e djathta janë udhëzuar të krijojnë incidente më 30 qershor” si “prodhim mediatik” dhe “mashtrim total që është bërë nga mediat” që sipas tij punojnë për Kryeministrin Edi Rama.

Më tej Basha këmbënguli:

“S’ka zgjedhje më 30 qershor, nuk ka zgjedhje pa opozitën, votime bën edhe Koreja e Veriut. S’ka rëndësi çfarë mendon Kryeministri, rëndësi ka që është standard evropian, ndërkombëtar, që proces zgjedhor pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë, nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen!”

Kryetari i PD-së rikujtoi dekretin e Presidentit Meta, që ka anuluar datën zgjedhore dhe që sipas Bashës është “ligj i zbatueshëm”.

“Me shfuqizimin e 30 qershorit nga presidenti, çdo aktivitet është i paligjshëm. 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, por është koha kur Edi Rama do të përpiqet t’i kthejë shqiptarët në kohën e votimeve njëpartiake. 30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit autokratik të Edi Ramës.”

I pyetur nga gazetarët nëse ky është apo jo edhe mendimi i përgjithshëm i opinionit publik, Basha u përgjigj se përgjithësisht opinioni publik pengohet të shprehet nga ndërhyrjet që i bëhen mediave:

“Ju ftoj të pasqyroni çfarë thonë përfaqësuesit e shoqërisë, njerëzit me influencë, të pasqyroni fushatën #edheunë të elitës së shoqërisë që nuk pranon zgjedhje pa opozitën dhe angazhohet t’i pengojë ato. Pasqyrojeni, nesë ju lënë pronarët. Disa prej jush nuk ju kanë lejuar. Televizionet kombetarë për shembull Top-Channel dhe Tv Klan vazhdojnë sillem si dy vegla qorre të Edi Ramës. Klani pak më i zgjuar se na pasqyron, Top Channel s’ka asnjë aktivitet të opozitës. Rruga e mbarë i qoftë! Perfekt për ne! Vetëm sa ka provuar se në çfarë bataku ka renë media shqiptare.”

Basha e mbylli daljen e tij për mediat duke theksuar se “30 qershori do të jetë dita kur do të nisë fundi i regjimit autokratiko-kriminal i regjimit të Ramës” dhe gjithashtu “çlirimi i këtyre mediave”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>