Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se përhapja e shpejtë e infeksionit është pasojë e mostestimit dhe mostrajtimit të mijëra rasteve me Covid-19.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Basha theksoi se shifrat e raportuara, nuk përfshijnë me qindra raste që as nuk testohen, as nuk kurohen nga sistemi shëndetësor.
“Në 24 orët e fundit e kam parë nga afër se sa i kolapsuar është sistemi shëndetësor, duke u angazhuar me 4 raste të afërmish me COVID. Pavarësisht kërkesave të këtyre rasteve, testimi i pacientëve është refuzuar nga ISHP. Përhapja e shpejtë e infeksionit pasojë e mostestimit dhe mostrajtimit të mijëra rasteve me COVID. Shifrat e raportuara, nuk përfshijnë me qindra raste që as nuk testohen, as nuk kurohen nga sistemi shëndetësor.”
Basha shtoi se qytetarët shqiptarë nuk përballojnë dot çmimin e ilaçeve për tu kuruar nga Covid-19.
“Pjesa dërrmuese e qytetarëve nuk përballojnë dot çmimet e larta të ilaçeve. Pensionistët, qytetarët më të varfër, kanë edhe shpenzimet më të larta për ilaçe. Përgjegjësi i kësaj situate është zhdukur dhe ka inskenuar bredhje Tiranë-Kukës i shoqëruar nga autokolona mbrojtjeje.”