Hapje të partisë, përgatitje të propozimit për reformën zgjedhore, programit të zgjidhjes së krizës dhe zgjerim të koalicionit opozitar. Këto ishin disa nga diskutimet që u mbajtën sot gjatë mbledhjes së kryesisë në Partinë Demokratike.
Gjatë mbledhjes mediat raportuan se Zoti Basha është shprehur “i hapur të pranojë në parti çdo person që kundërshton qeverinë e Ramës” dhe pro “zgjerimit të koalicionit opozitar”.
“Për dy javë del materiali i reformës zgjedhore dhe platforma për zgjidhje politike. Është koha për hapje të madhe të gjerë me çdo person që është kundër kësaj qeverie e që dëshiron të vi të kontribuojë për PD.
Momenti që të mirëpresim këdo që kundershton regjimin e Ramës, që është në opozitë me të dhe kërkon të kontribuoje. Koalicioni ynë duhet bërë më i gjeri me çdo faktor për të bërë sa më të shpejtë rotacionin politik.”
Në media thuhet se në mbledhjen e kryesisë Zoti Basha ka thënë se është drejt përfundimit programi ekonomik për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe se brenda janarit do të jetë gati.
“Të gjithë duhet ta dinë sot se si do të jetë situata e tyre nën qeverinë tonë. Objektivi ynë është garantimi i votes së qytetarëve në zgjedhje të lira dhe të ndershme, nisje e negociatave për anëtarësim në BE, zhvillim ekonomik, punësim”
Zoti Basha është shprehur se ka pasur shumë prurje të reja në PD dhe se ky është tregues i rikthimit të shpresës për ndryshimin e vendit.
“Me qindra të rinj i janë afruar PD-së, pedagogë, mjekë, juristë, profesionistë nga të gjitha fushat, që duan të japin kontributin e tyre në ndryshimin e vendit. Sa më mirë të dëgjohet zëri i qytetarëve aq më i fortë do të jetë reagimi ynë”
Mbledhja e kryesisë së PD-së zgjati më shumë se 2 orë dhe vjen në një moment ku ish-deputeti Salianji është dënuar me burg nga gjykata për kallëzim të rremë në çështjen Babalja. Qeveria ka miratuar disa ligje të kontestuara siç është paketa anti-shpifje, që cënon lirinë e shprehjes. Gjithashtu ajo ka zgjatur me 3 muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila ndalon organizimin e zgjedhjeve.