Kryetari i PD-së Lulzim Basha premtoi rritje rrogash deri në 1200 euro për mjekët dhe infermierët në vend.
“Me planin tonë ne do të mundësojmë ndryshimin e madh në shëndetësi me paga dinjitoze të niveleve rajonale për ta: 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët”, shkruan në një postim në Facebook, Basha, të mërkurën.
Ai premtoi gjthashtu se do të anullojë “koncesionet korruptive” dhe “paratë do të përdoren për mbështetje reale për mjekët dhe infermierët, me rritje pagash, me pajisje dhe kushte më të mira për tju shërbyer qytetarëve”.
Basha e quajti deklaratën e Ramës dje për rritje pagash për shëndetësinë thejsht propagandë. “Rritja e pagave të tyre është jetike por ajo duhet të jetë reale dhe jo elektorale”, shtoi ai.
Ai akuzoi qeverinë “që i çon paratë e taksave të shqiptarëve tek koncesionet korruptive, dhe shpenzimet për shëndetin publik janë më të ulëtat në rajon”.