Basha prezanton modelin e qeverisjes së vogël me studentë të ekonomikut

Nga Exit News
Basha prezanton modelin e qeverisjes së vogël me studentë të ekonomikut

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shpallur si prioritete të qeverisë së tij nëse fiton zgjedhjet, subvencionimin e tarifave studentore, fermerëve, vendosjen e taksës së sheshtë 9% dhe rritjen e pensioneve.

takimin me studentët e Fakultetit Ekonomik, fokusi i bisedës së kryetarit të PD, Lulzim Basha ishte ekonomia. Qeverisja e vogël dhe investimi në infrastukturë ishin dy nga modelet që nënvizoi Basha se do të ndiqte.

“Ne besojmë tek qeverisja e vogël. Ne besojmë që taksat e shqiptarëve duhen shfrytëzuar më mirë për të ndërtuar një infrastrukturë moderne, që mbështet ekonominë, por gjithashtu për të ndihmuar arsimin dhe shëndetësinë. Nuk besoj në shtetin klientelist që përgjigjen e vetme ndaj varfërisë dhe mjerimit e ka të hapë vende pune të panevojshme, thjeshtë dhe vetëm me rrogë dhe këto rroga paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe kjo është formula e falimentimit, dhe ju e dini që sot shteti shqiptar është de facto i falimentuar”.

Ai iu premtoi studentëve 10 mijë praktika studentore të paguara në vit me 300 mijë lekë të vjetra.

 “Çfarë kushton 10-15 milionë euro që ti ia jep Check-up-it dhe ndonjë tjetri në vit, do të mundësonte të paktën 10 mijë stazhe të paguara në vit, me 300 mijë lekë të vjetra në muaj, që është një pagesë simbolike por e mjaftueshme për të tërhequr 10 mijë studentët më të mirë në praktikë, nga të cilët 70-90% pas praktikës sigurojnë një vend pune.”

Kreu i demokratëve theksoi se subvencionimi i tarifave studentore për familjet e varfra, subvencionimi i fermerëve dhe taksa e sheshtë 9% janë objektiva që do t’i shkojë deri në fund. Ai theksoi se realiteti ekonomik mund të ndryshojë brenda 6 muajve të qeverisjes së tij.

“Unë ju siguroj se si kryeministër i ardhshëm prioritet do të kenë praktikat mësimore për studentë, do kenë subvencionimi 100% i tarifave për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë  në muaj. Prioritet do të jetë programi ynë për subvencionimin e fermerëve me 100 milionë euro në vit. Prioritet për mua do të jetë taksa 9% që Shqipëria të jetë konkurruese me rajonin dhe të thithë investime të huaja. Prioritet për mua do të jetë rritja e pensioneve  dhe jo 10 oligarkët pranë qeverisë,  dhe ky është një objektiv i shpallur të cilit do t’i shkojmë deri në fund  me vendosmërinë më të madhe brenda kohës më të shkurtër të mundshme. Dhe meqë ju jeni student të ekonomisë, po ju them që ekzistojnë të gjithë mekanizmat për ta ndryshuar këtë realitet brenda 6 muajve të parë të qeverisjes tonë të ardhshme”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>