Kryetari i Partisë Demokratike ka prezantuar sot “Planin e Rimëkëmbjes me 5 hapa kundër krizës”, kosto i të cilës shkon në 312 milionë euro për 6 muajt e ardhshëm, rreth 52 milonë euro në muaj.
“Kjo është oferta që PD i jep qeverisë për të lënë menjanë propagandën dhe filluar punën”, u shpreh Basha në fillim të konferencës për shtyp. Plani i propozuar nga PD në shëndetësi, arsim dhe ekonomi është:
Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor për një valë të dytë të infeksionit covid-19
Rritja e numrit të testimeve në 2500 testime në ditë, rimbursim i ilaçeve të të infektuarve, sigurimi i pajisjeve mbrojtëse dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.
Dhënia e bonusit për të gjithë mjekët dhe infermierët shqiptarë pa përjashtim, për 6 muaj.
Hapja e shkollave sipas masave mbrojtëse
Të jepen maska dhe dezinfektant falas për familjet dhe mësuesit, të dezinfektohen ambjentet e shkollave, testim masiv për mësuesit dhe investim në teknologji për mësimin online.
Mbështetja ekonomike për qytetarët, biznesin e vogël dhe të madh
Një çek mujor prej 16 mijë lek në muaj, plus pagesën e papunësisë për 6 muaj për personat e ngelur pa punë gjatë pandemisë.
20 mijë lek në muaj ndihmë biznesit për çdo të punësuar të ri.
Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.
Dyfishim i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.
Për punëdhënësit e mëdhenj, subvencion i 50 % të qirasë për ambjentet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambjenteve të punës.
Dhënien e kredive për biznesin me normë interesi 2%, për investime dhe shpenzime.