Qeveria ka paguar sot (27 tetor), 3 milionë euro për rrugën e ‘Arbërit’.
“Sot një pagesë 3 milion euro nga thesari për një kontratë me kosto dyfishe për PPP-në në rrugën e Arbri”, u shpreh kryetari i PD-së Lulzim Basha, në konferencën e përditshme për shtyp.
Kontrata mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës dhe kompanisë Gjoka Konstruksion sha u nënshkrua në mars 2018 dhe punimet filluan në gusht 2018.
Kontrata 13 vjecare për “përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit” është e tipit Partneritet Publik Privat me kosto totale ndërtimi prej 33 miliardë lekësh (rreth 260 milionë euro) dhe rreth 7 miliardë të tjera koso mirëmbajtje.
Projekti përfshin përfundimin e rreth 15 kilometra rrugë të ndërtuara pjesërisht nga qeveria e mëparshme, projektimin dhe ndërtimin e rreth 26 kilometra rrugë të reja—përfshi tunelin 3,2 kilometra të Qafës së Murrizit, dhe të 6 urave me gjatësi nën 400 metra secila—si dhe mirëmbajtjen e rrugës.
Ndërtimet duhet të kryehen brenda 44 muajsh, ndërsa mirëmbajtja do të bëhet për 111 muaj të tjerë. Sipas planifikimit fillestar, rruga do të hapet për trafikun në pranverën e vitit 2022.
Pagesa e qeverisë fillon, pas kryerjes së 25 për qind të punimeve të parashikuara, ose pas vitit të parë nëse janë realizuar të paktën 20 për qind e volumit të punimeve të parashikuara dhe pastaj do të bëhen pagesa të rregullta çdo tre muaj.