Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vizitoi sot familjet e dëmtuara nga tërmeti në Tarinë, Mallkuç, Bubq, të harruara nga shteti.
Basha tha se dhjetra familje me fëmijë të vegjël e të moshuar, po kalojnë netët e ftohta jashtë, pa ngrohje, pa ujë e me ushqime të pakta të ofruara nga vullnetarë. Ata nuk e dinë ende nëse banesat e tyre janë të banueshme apo jo, sepse askush nuk ka shkuar për të vlerësuar dëmet në banesa.
“Gjendja e sotme e zonave të dëmtuara nga tërmeti, një muaj më pas është dëshmi e dështimit të qeverisë në menaxhimin e situatës. Në Tarinë, Mallkuç, Bubq, banorët bashkëjetojnë me gërmadhat e mbetura nga tërmeti dhe frikën e pasigurinë për të nesërmen.
Ata që janë në çadra të papërshtatshmë për kohën e ftohtë e me reshje i ndjejnë të ftohtin dhe lagështirën në palcë.
Qeveria ka dështuar dhe korrupsioni i ka lidhur sytë dhe veshët që të shohë e të dëgjojë qytetarët,” u shpreh zoti Basha.
Ai i kërkoi qeverisë që të kalojë tek familjet e dëmtuara fondin prej 150 milionë dollarësh që çdo vit i shkon oligarkëve të koncesioneve:
“Nëse 150 milionë dollarët që shkojnë në xhepat e oligarkëve, do tu viheshin në dispozicion njerëzve në nevojë, do të ishin blerë kontenierë të përshtatshëm për strehimin e banorëve, dhe do të kishte nisur procesi i rindërtimit dhe riparimit të shtëpive të dëmtuara.
Paratë tu jepeshin në dorë qytetarëve ne zonat rurale për të nisur rindërtimin, duke shmangur tenderat korruptivë.”
Basha tha se propaganda e qeverisë nuk i jep dot zgjidhje këtyre familjeve që në mes të dimrit po jetojnë jashtë, pa ushqim dhe pa kushtet minimale të jetesës:
“Propaganda e qeverisë nuk e mbush dot barkun e fëmijëve, nuk i ngroh dot në këtë dimër të ftohtë, nuk e heq dot rrezikun e banorëve që po jetojnë në shtëpi të dëmtuara e të rrezikshme, në pamundësi të një strehe të sigurt.
Gjendja po përkeqësohet ditë për ditë. Koha nuk pret. Duhet menjëherë dedikimi i fondeve për strehim për banorët. Kjo është detyrë e shtetit, është përgjegjësi e qeverisë.
Nuk mund të sakrifikohen qytetarët, jeta dhe shëndeti i tyre për milionat e oligarkëve dhe aferat e rradhës korruptive.”