Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha denoncoi sot lënien jashtë vëmendjes së qeverisë të familjeve të prekura nga tërmeti në fshatra si Hamallaj, Manzë dhe Radë.
Përmes një postimi në Facebook, Kryetari i PD-së tha se shumë familje vazhdojnë të flejnë jashtë, në çadra ose makina:
“Disa prej banorëve kanë që prej tërmetit të 21 shtatorit që janë në mes të rrugës, të harruar nga shteti. Ende qytetarët presin për një vendim për sigurinë e banesave të tyre. Ata nuk e dinë se çfarë do të bëhet me ta, me shtëpitë e tyre me mundin dhe djersën e një jete.”
Zoti Basha theksoi se përtej propagandës së qeverisë shumë familje po përballen me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore për shkak të të ftohtit, shirave dhe mungesës së ngrohjes. Ai këmbënguli se kjo situatë vjen nga abuzimet me pushtetin dhe mungesa e vullnetit të qeverisë për të gjetur fonde duke zhbërë koncesionet.
“Nëse ky kryministër dhe qeveria e tij do të punonte me të njëjtin pasion dhe përkushtim për qytetarët, siç punon për oligarkët, nuk do të kishte qytetarë që nuk e dinë fatin e banesave të tyre apo jetojnë nëpër çadra, të uritur, të shokuar, dhe në dëshpërim. Tërmeti i 26 nëntorit i ka lënë vendin tërmetit të dështimit dhe shembjes së shtëtit prej kartoni nga babëzia, korrupsioni dhe paaftësia.”