Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se raporti i OSBE-së tregoi se zgjedhjet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe tregojnë vetëm shkatërrimin e demokracisë në vend.
Gjatë një deklarate për shtyp, kreu i PD-së tha se raporti OSBE-së është autopsia e kufomës së shtetit të së drejtës e qeverisë së popullit dhe drejtësisë, të cilat janë vrarë nga Edi Rama për t’i zëvendësuar ato me një shtet privat, autokratik, kriminal dhe personal.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Basha janë:
“Së pari, raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe u mbajtën në shkelje të dekreteve të Presidentit.
Së dyti, raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit nuk ishin zgjedhje dhe nuk patën asnjë lidhje me të drejtën e popullit për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Ato ishin një farsë zgjedhore dhe tallje demonstrative me pluralizmin politik dhe demokracinë përfaqësuese.
Së treti, për të realizuar këtë farsë antikushtetuese dhe një partiake u shkelën ligjet dhe standardet zgjedhore, në mënyrë të veçantë nga KQZ i cili portretizohet më shumë si organ partiak se sa si institucion i pavarur dhe i paanshëm kushtetues.”
Zoti Basha shtoi se në raport ka “prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj një sërë personash dhe institucionesh: nuk ka ligj, nga Kushtetuta deri tek vetë rregulloret e KQZ-së që të ketë mbetur pa u shkelur.”
Ai theksoi se “30 qershori faktoi atë që PD e ka thënë prej kohësh: Nuk mund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën, pasi ai është armik i zgjedhjeve dhe i demokracisë.”
Lulzim Basha tha se shteti privat dhe kriminal i Ramës duhet shembur, për të rikthyer në vend shtetin e së drejtës, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik.
Sipas tij, Shqipëria ka nevojë, jo vetëm për të larguar Edi Ramën sa më parë, por për një ndryshim rrënjësor, i cili do të zhdukë pasojat e thella të këtij regjimi kriminal por edhe të problemeve të tjera me demokracinë, ekonominë dhe qeverisjen që janë krijuar këto 30 vjet.
Kreu i PD-së tha se kjo kërkon një reformë të thellë zgjedhore dhe një reformë të thellë politike dhe se ky është prioriteti kryesor i opozitës.