Kryetari i PD-së Lulzim Basha theksoi sot se reforma zgjedhore të hartohet në Këshillin Politik me konsensus mes opozitës dhe qeverisë dhe do të miratohet në kuvend pa asnjë ndryshim.
Duke komentuar marrëveshjen mes opozitës dhe qeverisë për Reformën Zgjedhore, Basha tha se miratimi i reformës zgjedhore është kushti i parë që Bundestagu i ka vënë Shqipërisë.
Zërave kritikë të cilët thanë se me këtë marrëveshje Basha dhe PD legjitimoi ish-ministrin Gjiknuri, të cilin më parë e ka akuzuar për shit-blerjen e votave në Dibër, Basha iu përgjigj:
“Teza se ‘u legjitimua Damian Gjiknuri’ është një tezë e dalë direkt nga kancelaria e Edi Ramës dhe e shpërndarë përmes renegatëve dhe patericave të tij, pre e të cilës mund të ketë rënë edhe ndonjë naiv apo ndonjë person që ka pritshmëri jorealiste dhe revolucionare për mënyrën sesi duhet të ndryshojë Shqipëria.
Shqipëria do të ndryshojë përmes të njëjtave mekanizmave që ndryshon dhe përparon Europa. Njëri prej këtyre mekanizmave është zbatimi i ligjit.”
Pikat kryesore të deklaratës së Bashës janë:
“Synimi im është të largojmë fenomenin e Edi Ramës, personin e Rdi Ramës, qeverinë e Edi Ramës, bandat e Edi Ramës dhe të krijojmë kushtet që kurrë më, asnjë parti politike, asnjë individ të vendosë shqiptarët dhe Shqipërinë në kushte pengmarrje nga krimi.
Për këtë, ne kemi një hartë rruge, një udhërrëfyes solid që është rezoluta e Bundestagut për të cilën dje kemi dhënë kontributin tonë, duke krijuar një proces për reformën zgjedhore:
- jashtë parlamentit ilegjitim antikushtetues,
- me konsnesus të forcave politike
- që do të kalojë pa asnjë ndryshim, pas miratimit në nivelin politik.
Dita e djeshme shënon hapin e parë për përfundimin me sukses të procesit të diktuar nga Bundestagu që do ta çojë Shqipërinë drejt zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme.
Reforma zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e dalë me votat e blera dhe pseudopozita e blerë me paratë e krimit dhe oligarkisë.
Vendimet e reformës zgjedhore do të merren me konsensus mes dy palëve, opozitës së bashkuar dhe parlamentit monist plus patericat e veta.
Parlamenti vetëm do të noterizojë formalisht marrëveshjet e tryezës politike nga e cila vendimet do të dalin me konsensus.
Nuk ka për të pasur amnisti as për Damian Gjiknurin, as për Ymer Lalën, as për Vangjush Dakon, as për Avdylajt, për askënd që është përfshirë në shitblerjen e votave.
Dërgimi i tyre para drejëtësisë dhe aty ku e kanë vendin është prioritet absolut i PD-së, i opozitës së bashkuar dhe institucioneve euroatlantike. Ju lutem ta kuptoni realitetin, ashtu siç është. Këta janë të gjithë ushtarë të Edi Ramës.”