Basha sqaron incidentin në Qytetin Studenti: Më ftuan studentët

Basha sqaron incidentin në Qytetin Studenti: Më ftuan studentët

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha sqaroi sot për qytetarët ngjarjen e ndodhur dje në Qytetin Studenti gjatë vizitës së tij në godinën nr. 4.

Në një status në Facebook, Zoti Basha tha se ishte ftuar nga disa studentë për të parë si jetojnë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre  dhe se ndalimi që i bëri punonjësja e konviktit ishte me ‘urdhër nga lart’, si një tentativë për të frikësuar dhe kërcënuar njerëzit:

“Mbrëmë isha ftuar nga disa studentë për të parë si jetojnë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Studentët tanë janë e ardhmja e këtij vendi, shqetësimet e tyre janë shqetësimet tona.

Kjo është rruga që kemi zgjedhur ne. Rruga e të dëgjuarit, rruga e përfaqësimit të vërtetë të të gjithë shqiptarëve.

Kur mbërritëm në godinë u takuam me një punonjëse të konviktit, e cila na kërkoi të largoheshim. Kjo porosi erdhi nga lart.

Kjo në fakt është rruga tjetër. Rruga e frikësimit dhe kërcënimit të njerëzve për t’ju mbyllur gojën dhe për ti mbajtur të nënshtruar e nën kontroll.”

Zoti Basha tha se nuk do të lejojë askënd që ta pengojë të dëgjojë problemet e bashkëqyetarëve të tij dhe të përpiqet t’i ndihmoj ata, pasi për këtë arsye ka zgjedhur të jetë në shërbim të qytetarëve.

Kujtojmë se dje Lulzim Basha vizitoi mbasditen e djeshme ambientet e godinës 4 në Qytetin Studenti, së bashku me disa studentë.

LEXO  PD do të hyjë në zgjedhje, pavarësisht ndryshimeve të Kodit Zgjedhor

Pasi hyri brenda godinës, një punonjëse i ka kërkuar atij dhe studentëve shoqërues të dalin jashtë.

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj tha më vonë se vizita ishte bërë pa leje dhe se Basha ka ushtruar dhunë mbi recepsionisten e godinës.

“Për çfarë futesh me dhunë në konvikt? E para e punës, jo, s’ke të drejtë, se po ashtu i bie që çdo lac, çdo rrugaç, çdo trafikant, të futet dhe shkon te secila dhomë gocash, për qefin e vet. “Unë jam lideri i opozitës”. E çfarë pastaj? Po kur vjen laci i radhës edhe futet nëpër konvikte, domethënë një njeri që nuk njeh autoritetin e shkollës, zihet me pastrueset e konvikteve, edhe me recepsionistën. Kush është student dhe ka qenë në konvikte e di fare mirë se ai rregull është vendosur për të ruajtur integritetin sidomos të vajzave në ato konvikte”

Bashkia Tiranë paditi në polici Lulzim Bashën dhe katër shoqëruesit e tij për shkelje të rregullave. PD sqaroi për qytetarët se mes Lulzim Bashës dhe recepsionistes së godinës ka pasur një bashkëbisedim normal dhe jo dhunë siç pretendon Bashkia.

 

Lajme te ngjashme