Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi të dielën një takim me të banorët në zonën e Unazës së Re në Tiranë.
Banorët u ankuan tek Basha për projektin që parashikon devijimin e Lumit “Lana”.
Basha tha se “qeveria nuk do të ketë kohë të vazhdojë më me projekte korruptive”. Kjo pasi nëse PD vjen në pushtet do të anulojë projektet “që shkelin ligjin dhe grabisin pronën e qytetarëve”.
“Do t’i qëndroj pikë për pikë marrëveshjes me të gjitha familjet e cënuara nga afera korruptive e Unazës së Re. Paratë që do t’ju paguhen me vlerën e tregut për pronat e prishura me padrejtësi, ne një nga ligjet e para që do të kalojmë është që këto para do t’i nxjerrim nga çdo pasuri e pushtetarëve që shkaktuan këto dëme”, tha Basha.
Më pas kreu i Partisë Demokratike mori pjesë në takimin e organizuar nga drejtuesi politik i PD në njësinë 16, Belint Këlliçi, me të rinj të kësaj zone.
Këlliçi tha se zona e Unazës së Re numëron rreth 70 mijë banorë, “por që vuan mungesën e investimeve”.
Ai tha se të rinjtë janë shtresa më e goditur nga keqqeverisja e 8 viteve të fundit.
Basha u tha të rinjve se PD “do ta bëj zërin tuaj të dëgjohet, ta bëj mendimin tuaj të vlerësohet, t’i bëjë pritshmëritë tuaja realitet”.
Basha përsëriti planin e Partisë Demokratike për arsimin, ku një ndër nismat e para do jetë anulimi i ligjit për arsimin e lartë dhe rritjen e financave për universitetin.