Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një videomesazhi, mori rastin të uroj besimtarët mysliman për fillimin e ritualit të agjerimit gjatë muajit të Ramazanit.
“Ky është një muaj kur besimtarët i kthehen sakrificës së tyre njerëzore, shpresës dhe besimit të tyre në një të nesërme më të mirë,” tha Basha mes të tjerash.
Ai u shpreh i bindur se sakrifica e besimtarëve në fund të këtij muaji të bekuar do të shërbej që Shqipëria të përjetojë një çlirim shpirtëror dhe një ecje drejt më të mirës në çdo kuptim.
Basha përfitoi për të shpalosur programin ekonomik të PD dhe u zotua se do të devijojë përfitimet nga oligarkët te xhepat e qytetarëve.
Pjesë e paketës ekonomike të prezantuar ishin eliminimi i taksës Rama mbi karburantin, taksa e sheshtë 9% për tatim fitimin dhe tatimin për të ardhurat personale, si dhe ulja e çmimit të energjisë për familjet dhe bizneset.
Basha shtoi se këto të ardhura do të devijoheshin “ nga xhepat e një grushti njerëzish, që quhen sot me të drejtë oligarkë dhe që janë në fakt klientët e pushtetit në ikje, devijimi nga xhepat e tyre tek nevojat e njerëzve duke nisur me synimet tona kryesore që janë punësimi, rritja e pagave, rritja e pensioneve që në këto 8 vite ka shënuar një rënie krahasuar me rritjen e çmimeve…”
Basha akuzoi kryministrin Rama ka keqmenazhuar ekonominë dhe dështuar në mbajtjen e premtimeve këto 8 vjet.
Ai bëri thirrje që të gjithë, edhe socialistët, të votojnë për ndryshimin.
“…pavarësisht nëse jeni demokratë apo socialistë dhe në veçanti socialistët e goditur dyfish, ata që vërtetë kanë besuar, kanë votuar dhe kanë investuar tek forca e tyre politike pas premtimeve të pambajtura. Ju them që tani është koha të bëhemi të gjithë bashkë….” përfundoi Basha.