Në 30 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, kreu i saj Lulzim Basha u tha qytetarëve se qeverisë nuk i interesojnë qytetarët dhe shembulli për këtë sipas tij është vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Pasi rikujtoi lindjen e PD në dhjetorin e 1990 nga protestat e studentëve, Basha vuri theksin tek gjendja e vendit për të cilën bëri përgjegjëse qeverinë.
“Qeveria nuk ka patur dhe ende nuk ka asnjë plan për të luftuar koronavirusin, por vetëm improvizon dhe cfare thote sot nuk thote neser. Ajo nuk ka asnjë ndjeshmëri që të sigurojë ndihmë financiare për qytetarët dhe sipërmarrësit sepse paratë ia ka dedikuar klientëve të saj më të cilët mandej edhe ndajnë paratë e plaçkitura”, tha Basha.
Kryedemokrati u ndal tek vrasja e Klodian Rashës dhe pohoi se përgjegjësinë për të nuk e kanë policët e thjeshtë por “shefi i qeverisë”.
“Vetëm 3 ditë më pas, kur e pa që qytetarët u hodhën në revolte sepse nuk i gëlltisin dot gënjeshtrat e tij, nuk mund të pranojnë as krimin dhe as cinizmin dhe pandjeshmërinë me jetën e një të riu, atëhere ai u detyrua ta beje ministrin e brendshem mish për top për të shpëtuar veten etij.”, deklaroi kreu i PD.
Basha premtoi se Partia Demokratike do të punojë për të ringritur ekonominë dhe për të rindërtuar vendin pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Bashkë do ta largojmë Ramën dhe modelin e tij, për të çliruar energjitë dhe potencialin e jashtëzakonshëm të shqipatrevë, që ai bashkë me kastën e tij sundimtare i mban bllokuar. Bashkë do i japim fund tranzicionit të tejzgjatur shqiptar për ta bërë më në fund Shqipërinë Si Gjithë Europa. Mandej së bashku do të përveshim mëngët për ta rindërtuar vendin tonë të dashur dhe ti japim mirëqenien e dinjitetin që meriton. Sepse me votën tuaj në 25 prill, ju nuk do të ndryshoni vetëm qeverinë por do të ndryshoni Shqipërinë.”, u shpreh ai.