Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindjet dhe ka bërë thirrje për optimizëm dhe shpresë.
Duke sjellë në vëmendje vështirësitë që e kaluara gjatë vitit për shkak të pandemisë, Basha kërkon që të shohim më qartë se çfarë duhet të bëjmë për të ndryshuar realitetin.
Kjo Krishtlindje nuk është e zakonshme. Gjatë këtij viti kemi kaluar vështirësi të mëdha, kemi përjetuar dhimbje dhe ndarje fizike dhe kemi ndjerë mall për më të dashurit tanë. Por në të njëjtën kohë, kemi pasur mundësi të shohim më qartë ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndryshuar realitetin tonë.
Në postimin e ndarë në rrjetet sociale, kreu i demokratëve bën thirrje për optimizëm dhe solidaritet për të ardhmen.
Le të shohim me shpresë përpara, sepse siç thuhet edhe në librat e shenjtë, pas errësirës vjen drita. Si një familje e madhe të ndërtojmë me dhembshuri dhe kujdes për njëri-tjetrin të sotmen dhe të nesërmen tonë. Gëzimi i kësaj nate i mbushtë zemrat tuaja e Zoti na udhëheqtë drejt së nesërmes më të mirë e më të begatë për të gjithë shqiptarët. Gëzuar dhe Krishtlindje të bekuara.