“Jemi në një krizë humanitare me përmasa të plota e cila vetëm sa do të thellohet. Qeveria dhe kryeministri po bëhen gati të ngrenë një mega aferë korruptive mbi rrënojat e tërmetit. Vendi është një një krizë të thellë humanitare, ekonomike, politike dhe kushtetuese.”
Kështu u shpreh sot, kryetari i opozitës Lulzim Basha në një video mesazh të postuar në faqen e tij në Facebook, mbas vizitës së tij në Thumanë.
Ai deklaroi se qytetarët e Thumanës ndihen të braktisur dhe të harruar nga qeveria. Basha theksoi se qytetarët po përballen jo vetëm me varfërinë, por dhe me sëmundjet:
“Tashmë qytetarët po përballen me një tjetër pasojë të krizës humanitare. Ka shumë fëmijë të sëmurë, ka shumë të moshuar të sëmurë, në nevojë për kujdes mjekësor, për të cilën e kanë të pamundur ta marrin në gjendjen ku janë apo të zhvendosen në spitalet e Tiranës, Krujës apo të Laçit.”
Në përfundim zoti Basha theksoi se zgjidhja e kësaj krize, është krijimi i një qeverie të përgjegjshme që do t’ju vij në ndihmë qytetarëve.