Bashkëqeverisja: si është e si duhet të ishte?

Nga Johannes Estrada
Bashkëqeverisja: si është e si duhet të ishte?

Kushdo që ecën nëpër rrugët e Tiranës nuk mund të mos ketë vënë re një numër të madh billboard-esh ku reklamohet shpikja më e fundit propagandistike e qeverisë: platforma e bashkëqeverisjes. Shumë është shkruar për efektin thuajse diktatorial që ajo ka pasur deri më sot në retorikën dhe vendimet e Kryeministrit Rama për shkarkime nga puna të motivuara thjesht nga disa komente anonime.

Fatkeqësisht, problemi është shumë herë më i madh se kaq. Mendimi i shoqërisë për cilësinë e qeverisjes është i rëndësishëm, në fakt është thelbi i demokracisë. Përtej idesë që politikanë dhe pjesëtarë të elitës tentojnë të përdorin shpesh se kërkohet “ekspertizë” për problemet publike, askush më mirë se sa qytetarët e thjeshtë nukjanë në gjendje të vlerësojnë nëse jeta e tyre përmirësohet ose jo nga vendime të ndryshme. Lufta për krijimin dhe forcimin e institucioneve demokratike ka në thelb pikërisht formalizimin dhe zbatimin e këtij parimi, që qytetarët të kenë të drejtë të vendosin sa më shumë dhe politikanët sa më pak.

Por a e ka formalizuar dhe forcuar vërtet Edi Rama në karrierën e tij politike mendimin e shoqërisë apo ka tentuar ta zvogëlojë atë?

Në fakt, të gjitha vendimet konkrete politike që ai ka ndërmarrë vetëm sa i kanë hequr mundësinë qytetarëve të shprehin mendimin e tyre në të qartë dhe imponuese.

Sot qytetarë e Shqipërisë nuk kanë asnjë mundësi të zgjedhin realisht përfaqësuesit e tyre në Kuvend (apo në organet e qeverisjes lokale) falë efekteve të ndryshme të kodit elektoral, që Rama miratoi së bashku me ish-Kryeministrin Berisha.

Së pari, listat e deputetëve nuk kalojnë aspak një proces përzgjedhjesh brenda partive respektive. Akoma më tej, është bërë zakon tashmë që për të mënjanuar edhe surprizat e mundshme të kandidimeve të pavarura, partitë i dorëzojnë listat pas orarit zyrtar dhe në mënyrë aspak misterioze. Ideja se partitë mund të përfaqësojnë zëra e grupime të ndryshme është totalisht e vdekur brenda politikës shqiptare tashmë.

Së dyti, vetë kodi elektoral nuk të jep asnjë mundësi të përzgjedhësh preferencat ndërmjet kandidatëve. Listat janë të mbyllura, pra të pandryshueshme, dhe qytetarëve ju ngelet vetëm të miratojnë ose jo listën e përzgjedhur nga kryetari. Kodi po ashtu vështirëson tej mase daljen e partive të vogla ose kandidatëve të pavarur, duke e kthyer parlamentin jo në përfaqësuesin e shoqërisë e bashkëqeverisjes, por zgjedhje personale të kryetarëve të partive kryesore.

Së treti, ashtu siç qytetarët e Valbonës apo Karavastasë po mësojnë së fundmi, pjesa e referendumeve në Kushtetutën e re është vështirësuar së tepërmi. Sot qytetarët efektivisht nuk kanë as mundësinë të frikësojnë pushtetarët me përdorimin e referendumeve pasi vendimi për kryerjen e tyre është i pamundur.

Së katërti, pamundësia për tu përfaqësuar nga një deputet specifik, dhe rregullat për disiplinë të ngurtë partiake bëjnë që qytetarët ta kenë të pamundur të influencojnë deputetët në votat e tyra, siç në fakt ndodh në shumë nga demokracitë e zhvilluara. Është e padëgjuar që deputetët shqiptarë të mbajnë takime me qytetarë të thjeshtë rreth vendimeve që merren në Kuvend. Takimet janë vetëm për Kryeministrin, por ato janë aq rreptë të organizuara sa edhe disa fishkëllima në një takim të fundit u konsideruan lajm i rëndësishëm duke qenë se kundërshti të tilla nuk vihen re prej kohësh.

Gjatë gjithë qeverisjes së tij, qoftë të Partisë Socialiste e tani në krye të qeverisë, kryeministri Rama në fakt ka zhbërë në mënyrë sistematike të gjitha mjetet formale me të cilat qytetarë të thjeshtë mund t’i imponohen në mënyrë të vendosur atyre që i qeverisin. Sot qytetarët nuk ndikojnë në asnjë mënyrë përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre, nuk ndikojnë dot votimet e tyre dhe nuk ndikojnë dot as ligjet që votohen prej tyre.

Të gjitha këto, sipas Kryeministrit Rama dhe reklamave të kudogjendura të tij, mund të zëvendësohen me një platformë online.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>