Kryetari i opozitës Lulzim Basha e quajti uzurpim me dhunë, kundër vullnetit të popullit, rrethimin me policë të forcave speciale të godinës së Bashkisë Devoll nga Kryebashkiaku i ri Duro. Në një postim në facebook, Basha tha se:
“Pushteti i paligjshëm i 6% po uzurpon me dhunë qeverisjen lokale, kundër vullnetit të popullit. Ky regjim kriminal dhe plaçkitës po hyn në rrugën e verbër të përplasjes me popullin e tij. Sot hajdutët në pushtet ndjehen të mbrojtur se kanë polici speciale, gaz lotsjellës dhe mercenarë, por nesër do të kenë fatin që meritojnë hajdutët dhe banditët”.
Kryebashkiaku i ri Duro rrethoi me forca të shumta policie, godinën e bashkisë. Ai urdhëroi futjen e policëve të Forcave Speciale brenda në godinë. Kryebashkiaku i ri e justifikoi praninë e policisë si masë kundër protestës së paralajmëruar të opozitës.
“Policinë e kam thirrur unë pasi kisha informacion se do bëhej ky tubim. Po pres që të gjithë punonjësit e tjerë të hyjnë në zyrë. Ish kryetari nuk pranoi të largohej ndaj u detyruam të veprojmë kështu.”
Ndërsa jashtë saj, ish-kryebashkiaku Nallbati po proteston kundër hyrjes në mënyrë të paligjshme të kryebashkiakut Duro. Ai u shpreh se Kryebashkiaku i ri është i paligjshëm dhe protestat do të vazhdojnë.
“Bashkia është uzurpuar, është antiligjore. Unë do të vazhdoj të shërbej dhe të punoj edhe pse më kanë zënë zyrën. Këta le të mbajnë zyrat, unë do të punoj jashtë në terren me banorët”, u shpreh Nallbati.
Kryebashkiaku Duro e mori zyrtarisht detyrën ditën e premte. Zgjedhjet vendore të 30 qershorit ishin zgjedhje monopartiake. Në 31 bashki në vend mori pjesë vetëm Partia Socialiste. Ndërsa në 26 parti mori pjesë partia Bindja Demokratike, e cila sipas vendimi të të Gjykatës së Durrësit dhe OSBE-Odihr është regjistruar në mënyrë të paligjshme në zgjedhje.
Gjithashtu pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte shumë e ulët. Sipas rezultatit ët publikuar nga KQZ në rang vendi në zgjedhje kanë marër pjesë 15,5 për qind e popullsisë.