
Sipas një studimi të kryer nga organizata Qëndresa Qytetare, Bashkia e Tiranës pajis me abone studenti vetëm 20 për qind të studentëve, ndërsa 80 përqind e tyre e blejnë abonenë si të gjithë qytetarët e tjerë.
Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak nr.66 datë 30.12.2015, studentët përfitojnë abone për të gjitha linjat e autobusëve me çmimin 600 lekë dhe është detyrë e bashkisë t’ia garantojë këtë çdo studenti.
Nga komunikimi që kjo organizatë ka pasur me Bashkinë e Tiranës, rezulton se sasia e aboneve të shitura ndaj studentëve është më e vogël se numri i tyre në qytetin e Tiranës. Si rrjedhojë, studentët që nuk arrijnë të sigurojnë dot abonenë e studentit, detyrohen të blejnë abonenë normale, ose të paguajnë tarifën e transportit publik.
Ndërkohë, lidhur me shitjen e aboneve në treg të zi, Bashkia Tiranë ka deklaruar se “nuk asnjë procedurë ligjore të parashikuar mbi mënyrën e pajisjes me abone studenti, por janë vetë operatorët privatë që pajisin studentët me abone”. Përmes kësaj deklarate, bashkia ka shmangur detyrimin ligjor për të pajisur të gjithë studentët me abone.