Pas Bashkisë Tiranë, dhe Bashkia Kamëz do të japë me koncesion pastrimin dhe grumbullimin e mbetjeve. Për këtë koncesion, Bashkia Kamëz ka hapur procedurat e tenderimit dhe aplikimet do të mbyllen më datë 16 prill.
Koncesioni për pastrimin, grumbullimin, transportimin dhe seleksionimin e mbetjeve do të zgjasë 12 vjet. Vlera e parashikuar e projektit është rreth 13 milionë dollarë.
Sipas dokumenteve pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, kompania fituese e koncesionit do të duhet të bëjë vetë investimin fillestar për makineritë dhe pajisjet e nevojshme, ndërsa Bashkia Kamëz do të paguajë vlerën prej 13 milionë dollarësh në një periudhë preh 12 vitesh që nga moment i nënshkrimit të kontratës.
Pjesë e kontratës është dhe ndërtimi i një stacioni ku do të transferohen mbetjet. Stacioni, për të cilin Bashkia Kamëz ka vënë në dispozicion një sipërfaqe toke në zonën e Valiasit, duhet të ndërtohet prej 2 vjetësh nga nënshkrimi i kontratës.