Bashkia Tiranë dhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, kanë nisur sot shembjen e dhjetra shtëpive dhe bizneseve në zonën e Medresesë, për shkak të projektit për zgjerimin e rrugës.
Banorët shprehen se janë njoftuar për prishjen e banesave, por nuk kanë marrë asnjë informacion nëse do të shpërblehen dhe nëse po, si do të bëhen procedurat.
Të shqetësuar, banorët shprehen për FaxNews se janë lajmëruar për përjashtimin nga procesi i legalizimit, por nuk dinë se çfarë do të ndodhë më to:
“Ku të ankohesh për këta, këta të fusin në burg, vetëm atë dinë. Unë i kam shpërndarë kalamajtë që të mos e shohin këtë tmerr sot me sy. Na kanë sjellë një shkresë dhe na kanë thënë që përjashtohemi nga procesi i legalizimit.”
“Unë kam më shumë se 60 vite që kam qenë këtu, jam banorja më e vjetër. Kemi 22 vite që na është thënë në fushatë se do të na legalizohen banesat. Këtu kalojnë dy makina rehat, ka dhe trotuar, cili është qëllimi këtu? Ku të shkoj unë, nuk kam bllokuar rrugën! Një muaj afat na kanë lënë, do prishet, do rregullohet na kanë thënë”, u shpreh një tjetër banore.
Një banor tjetër, sqaron se rruga ku po prishen banesat është rrugicë “qorre”, pasi disa metra më tutje rruga është e zënë nga pallatet.
Në muajt e fundit, Bashkia Tiranë, ka ndërmarrë operacione për prishjet e shtëpive në Laprakë, Shkozë dhe tek Bregu i Lumit. Ndërkohë, tek zona e Astirit ku parashikohet të ndërtohet Unaza e Madhe, falë rezistencës dhe protestave të qytetarëve, prishja e shtëpive dhe bizneseve nuk ka nisur.