Që mediat kanë probleme dhe madje mund të jenë një kërcënim për shoqërinë, kjo është diçka e pranuar gjerësisht tashmë. Çështja është se kush e ka atributin për t’i kontrolluar ato. Përgjigjia që i jep demokracia kësaj pyetjeje ka të paktën një gjë të sigurt: Vetëm qeveria jo.
Një ligj i hartuar nga qeveria për të kërcënuar median është gjëja më e mbrapshtë për një shoqëri demokratike. Media ka si atribut kryesor oponencën ndaj qeverisë, ndaj ideja se qeveria duhet të kontrollojë ata që kanë për detyrë ta kritikojnë është një marrëzi dhe mbrapshti e pafalshme.
Sado që mediat janë parë shpesh me dyshim, ato mbeten sërish ndër instrumentet më të vyera për ta mbrojtur shoqërinë nga shumë probleme, sidomos nga rreziqet e një qeverisjeje të keqe. Media është një garant i rëndësishëm i demokracisë, që nuk ka aq nevojë për kontroll sesa për mbrojtje nga ndërhyrjet e pushtetit.
Edhe kur ato mashtrojnë, liria e fjalës ka përparësi ndaj luftës kundër mashtrimit që mediat mund të përhapin. Pikërisht garantimi i kësaj përparësie është edhe rregullatori për të luftuar mashtrimin. Duke garantuar hapësirën ku mund të thuhet lirshëm e vërteta, dhe jo duke censuruar, sigurohet mekanizmi që i kundërvihet keqinformimit. Në demokraci, gënjeshtra nuk luftohet duke i mbyllur gojën gënjeshtarit, por duke garantuar klimën e lirisë së fjalës, e cila bën të mundur që gënjeshtra të ballafaqohet me të vërtetën.
Nëse do të zgjidhnim rrugën e censurës, siç zgjedhin të bëjnë diktaturat, do të ndërtonim një sistem edhe më të gënjeshtërt sesa ajo që po luftojmë. Sepse, nëse e vërteta u mbrojtërka me censurë, atëherë kush e ka autoritetin ta bëjë këtë? Nuk ka as individ dhe as qeveri që të na garantojë se nuk do ta përdorë këtë funksion në shërbim të pushtetit dhe kundër të vërtetës.
Natyrisht, shoqëritë demokratike ngrenë institucione të pavarura, që mbrojnë dinjitetin e individit ndaj abuzimeve të mediave, por ato kanë në fokus individin dhe nuk mund të pengojnë fjalën e lirë në çështje me interes publik.
Në analizën e demokracisë në Amerikë, Aleksis de Tokvili flet për rolin e madh që media ka në mbrojtjen e sistemit nga despotizmi. Ai sheh si garant të demokracisë dy pushtete të pavarura: gjykatat dhe mediat. Ndonëse i njeh mjaft mirë abuzimet e tyre, Tokvilli thotë se liria e mediave ka përparësi ndaj problemeve që ato mund të shkaktojnë, pasi pa këtë liri asgjë nuk mund të garantojë shmangien e despotizmit. Aq më tepër kur gjykatat mund të jenë nën dominimin e qeverisë. Në këto kushte, media mbetet i vetmi garant i demokracisë.
Ligji i qeverisë kundër mediave online kërcënon me gjobë, – pa të drejtë apelimi përpara zbatimit të dënimit, – ato media që agjencitë e qeverisë gjykojnë se kanë tejkaluar normat. Kushdo që do të mendojë të shkruajë kundër qeverisë tashmë do të duhet të mbajë parasysh se, në rast se qeveria gjykon se i ka shkelur dinjitetin ndonjë hajduti në pushtet, ai/ajo mund të marrë një gjobë që nuk e përballon dot. Kjo është qartazi mbyllje goje dhe dhunim i fjalës së lirë.
Sigurisht, të gjithë e kuptojnë që halli i Ramës nuk është abuzimi i këtyre 10 apo 15 portaleve që, sipas tij, shpifin dhe shpikin lajme të rreme. Halli i tij është e vërteta që ato thonë, e cila duket se ia prish terezinë.
Pasi ka shtënë në dorë të gjithë televizionet kryesore dhe pasi ka vënë në shërbim një armatë gazetash, portalesh si dhe një angazhim masiv të organizuar militantësh e punonjësish të administratës në rrjetet sociale, pasi ka vënë në funksionim një fuqi të jashtëzakonshme propagandistike, të prodhuar në zyrat e shtypit (i vetmi sektor që funksionon në këtë qeverisje), Rama prapë është i shqetësuar nga ajo pak hapësirë lirie që ka mbetur në median online.
Të vërtetat që dalin nga disa portale bëhen një problem i madh për një qeveri si kjo, të telendisur nga korrupsioni. Mjafton një hapësirë e vogël komunikimi jashtë kontrollit të kryeministrit, që pushteti i tij të tronditet. Ai ka nevojë ta shuajë edhe këtë hapësirë për të mbijetuar.
Ligji i Ramës kundër mediave online tregon se qeverisja ka prekur fundin. Mes zullumeve të saj ulëritëse, kjo qeveri mund të mbijetojë vetëm duke siguruar asgjësimin e çdo hapësire lirie, që sado e vogël, përbën kërcënim për të.
Në një kohë kur kemi tashmë një sistem njëpartiak, kur pushtetet e pavarura janë uzurpuar, kur institucionet e pavarura janë kapur nga qeveria, e cila ka monopolizuar edhe biznesin, shoqërinë civile dhe madje edhe krimin e organizuar, një ligj që censuron edhe mediat online tregon sesa i brishtë ndihet pushteti i korruptuar dhe sesi ai shkon vetvetiu drejt asgjësimit të lirisë, si e vetmja mënyrë për të mbijetuar.