Landi i Bavarisë në Gjermani do të nisë testimet masive tek personat që hyjnë në vend, për të zbuluar që në kufi të infektuarit.
Qeveria do të vendosë njësi testimi të lëvizshme në aeroporte, stacione hekurudhore dhe pikat kufitare tokësore.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet njerëzve që kthehen nga 130 zona të cilat Gjermania i konsideron me rrezik të lartë për shkak të numrit të lartë të infektimeve. Disa javë më parë, numri i zonave me rrezik të lartë ishte 100, por për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve në gjithë botën, Gjermania përditësoi listën e zonave me rrezik të lartë.
Po ashtu, qeveria ka vendosur që të testojë mijëra punëtorë sezonalë të punësuar në ferma në të gjithë landin. Shkak për testimin masiv të tyre u bë infektimi i disa punonjësve në një fermë perimesh në lindje të Bavarisë.
Aktualisht në Bavari janë regjistruar mbi 50 mijë të infektuar me koronavirus dhe mbi 2 600 viktima.