Shefi i Zyrës së BE-së dhe shefat e misioneve të vendeve anëtare të BE-së në Kosovë theksua rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse në 14 shkurt.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lira nga presioni politik dhe të respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqësorit,” thuhet në deklaratën e përbashkët.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së i bënë apel qytetarëve të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.
Ata përmendën gjithashtu zgjedhjen e presidentit, pasi Kosova ka mbetur me një president në detyrë që nga nëntori.
“Ne i qëndrojmë fort partneritetit tonë të qëndrueshëm me Kosovën. Ne jemi gati të angazhohemi me anëtarët e zgjedhur të Asamblesë. Ne kemi besim se një President do të zgjidhet shpejt nga Asambleja e re dhe do të formohet një qeveri e re, në kohën e duhur, në mënyrë që të vazhdohet me reforma dhe zhvillime të mëtejshme, luftën ndaj korrupsionin, forcimin e shtetit të së drejtës dhe të çojë përpara të ardhmen Evropiane të Kosova duke përfshirë vazhdimin e Dialogut të lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, “thanë përfaqësuesit e BE.
BE ka dërguar një Mision të Ekspertëve Zgjedhorë (EEM) në Kosovë që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë fazën e apelimit.
EEM do të përgatisë një raport mbi zgjedhjet duke përfshirë rekomandime se si të përmirësohet dhe forcohet më tej procesi zgjedhor.
“Ne shpresojmë të diskutojmë mbi zbatimin e rekomandimeve të raporteve të njëpasnjëshme të Misioneve të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian me autoritetet e Kosovës pas zgjedhjeve. Ne i ftojmë të gjitha partitë të rritin punën e tyre pas zgjedhjeve në mënyrë që të zbatojnë rekomandime të tilla, ”thuhet në deklaratë.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen të Dielën.