AstraZeneca i ka bërë me dije Bashkimit Evropian se nuk ka detyrime ligjore ndaj Britanisë ose blerësve të tjerë, që ndalojë furnizimin e vaksinave sipas kontratës së saj me BE, tha të martën një zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Komentet e saj në një konferencë shtypi kundërshtojnë deklaratat e bëra nga ministri britanik i shëndetësisë Matt Hancock, se firma anglo-suedeze ka një marrëveshje ekskluzive me Britaninë që justifikon përparësinë e furnizimit të Mbretërisë së Bashkuar.
“AstraZeneca na konfirmoi se nuk ishin nën asnjë detyrim ndaj palëve të tjera, që do ta pengonin për të përfunduar përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj BE-së”, tha zëdhënësi i Komisionit kur u pyet në lidhje me deklaratat e Hancock.
Deklarata e saj përsëriti pikat kryesore të nenit 13.1 të kontratës së BE me AstraZeneca sipas së cilës kompania ksihte rënë dakord të mos kishte asnjë detyrim kontraktual që do të kufizonte aftësinë e saj për të përmbushur angazhimet e BE.
AstraZeneca nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reuters për komente.
BE ka filluar bisedimet me AstraZeneca, bazuar në një klauzolë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të përfshirë në kontratë.
Kjo, pasi kompania deklaroi se mund të furnizonte vetëm 100 milion doza në fund të qershorit, në vend të 300 milion dozave për të cilat ishte angazhuar në kontratën me BE.
Zëdhënësja tha se bisedimet me AstraZeneca synonin të garantonin se kompania “do të përdorte linjat e furnizimit dhe impiantet e saj, të identifikuara në kontratën tonë” për të përmbushur detyrimet e saj ndaj 27 vendeve të BE-së.
Sipas kontratës së BE, AstraZeneca u angazhua të furnizonte vaksinat e prodhuara në katër fabrika evropiane, dy prej të cilave janë në Britani: Oxford Biomedica dhe Cobra Biologics.
Britania deri më tani nuk ka eksportuar asnjë vaksinë AstraZeneca në BE, pavarësisht thirrjeve të BE për qasje në dozat e prodhuara atje.