Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar akuzojnë Kinën për sulmin kibernetik të një viti më parë ndaj serverave të Microsoft Exchange.
Sulmi i hakerëve preku rreth një të katërtën e një milion serverave të Microsoft Exchange, në të gjithë botën.
Serverat e kompanisë amerikane Microsoft Exchange përdoren nga shumë qeveri dhe biznese në botë për postën elektronike.
Përfaqësuesit e BE thanë në një deklaratë se sulmi kishte ardhur nga territori i Kinës ndësa MB akuzoi strukturat shtetërore kineze se kanë mbështetur organizatorët e sulmit.
BE dhe MB pohuan gjithashtu se Ministria Kineze e Sigurimit të Shtetit ishte përgjegjëse për aktivitete të tjera spiunazhi.
Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se sulmi bën të mundur përgjime në shkallë të gjerë, duke përfshirë marrjen e informacionit personal dhe vjedhje të pronës intelektuale.
Microsoft njoftoi detajet e sulmit në mars dhe tha se një grup i quajtur Hafnium, i lidhur me Kinën, ishte përgjegjës. Kina i mohoi këto akuza.
Përfaqësuesi i lartë për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë në BE u shpreh se sulmi ndaj Microsoft Exchange cënon sigurinë e qindra mijëra kompjuterave dhe rrjeteve në të gjithë botën, përfshirë vendet anëtare të BE.
Ndër të tjera kjo ka sjellë humbje të konsiderueshme ekonomike për institucionet qeveritare dhe ndërmarrjet private.