Këshilli i Bashkimit Evropian njoftoi të premten heqjen e kufizimeve të lëvizjes me Izraelin.
Vendimi erdhi pas rekomandimeve të Komisionit Evropian për zgjerim të listës së vendeve që mund të udhëtojnë lirisht në BE, në bazë të situatës së tyre epidemike.
Tashmë lista e vendeve, të cilat mund të udhëtojnë pa kufizime në BE, përbëhet nga 8 shtete: Australia, Izraeli, Zelanda e Re, Ruanda, Singapori, Korea e Jugut, Tajlanda, Kina( e cila është subjekt i konfirmimit të reciprocitetit).
“Kufizimet e udhëtimit gjithashtu duhet të hiqen gradualisht për rajonet e veçanta administrative të Kinës: Hong Kong dhe Makao, në varësi të konfirmimit të reciprocitetit,” lexon njoftimi i Këshillit.
Ndërkohë, specifikohet se banorët e Andorrës, Monakos, San Marinos dhe Vatikanit konsiderohen si banorë të BE-së dhe mund të lëvizin lirisht në hapsirën e përbashkët.
Sipas të dhënave të përditësuara, Izraeli kryeson në fushatën globale të vaksinimit, me më shumë se 62% e popullsisë tashmë të vaksinuar.