BE-ja fillon lëvrimin e Fondit të Rimëkëmbjes ndaj pandemisë

BE-ja fillon lëvrimin e Fondit të Rimëkëmbjes ndaj pandemisë

BE-ja ka filluar të martën lëvrimin e Fondit prej 800 miliardë € të Rimëkëmbjes nga pandemia.

Sipas një raportimi nga Agence France Press, Komisioni Evropian ka dhënë këstin e patrë nga fondi i përbashkët për Portugalinë, që përfitoi 2.2 miliardë €, për Belgjikën 770 milionë €, si dhe për Luksemburgun 12.1 milionë €.

Këto pagesa synojnë financimin e planeve vendore për ringritjen ekonomike, reformat dhe investimet jetësore, duke hedhur themelet që të mund të përfitojnë edhe pjesën tjetër të fondeve të rezervuara.

Përveç Bullgarisë dhe Hollandës, të gjitha shtetet e tjera të BE-së kanë paraqitur projekte në bazë të të cilit do të përftojnë fondet. Deri tani janë miratuar planet e 16 vendeve, ndërkohë që po vlerësohen ato të 7 vendeve.

Për dy vende të tjera, Poloninë dhe Hungarinë, Blloku po debaton ende nëse duhet të jenë pjesë e paketës për shkak të konfliktit të tyre me Brukselin për kalimin e ligjeve të debatuara, që lidhen me komunitetin LGBT dhe reformat respektive gjyqësore.

Komisioni Europian ka vonuar miratimin e 7.2 miliardë euro për Hungarinë si përpjekje për të vënë nën presion qeverinë e Kryeministrit Viktor Orban për të zbatuar sundimin e ligjit dhe nuk miratuar ende dhënien e 23 miliardë eurove në grante dhe 34 miliardë euro në kredi të buta për Poloninë.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podestà deklaroi për gazetarët se alokimi i fondeve është në dorë të vendeve anëtare dhe sa shpejt mund të përpilojnë planet e investimeve.

“Për disa shtete anëtare është çështje ditësh, për shtetet e tjera anëtare mund të zgjasë më shumë,” shtoi ajo.

Belgjika pritet të marrë gjithsej prej 5.9 miliardë € në grante, ndërsa Luksemburgu 97 milionë €. Fondi i rezervuar për Portugalinë arrin gjithsej 16.6 miliardë euro, përfshirë 2.7 miliardë euro në hua.

Vendet anëtare kanë afat deri në qershor të 2022 për të thithur fondet e Rimëkëmbjes.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>