BE-ja paguan dyfish: e korruptuar apo e mbifaturuar?

BE-ja paguan dyfish: e korruptuar apo e mbifaturuar?

Komisioni Europian ka blerë së fundmi një vilë 1,65 milionë euroshe në zonën Rolling Hills në periferi të Tiranës. Vila është rezidenca e Kreut të Delegacionit të BE-së në vend, Ambasadores Romana Vlahutin, e cila, sipas  raportimit të gazetës online Exit, mori përsipër të kryente vetë negociatat e blerjes që ishin zhvilluar më parë nga një firmë ligjore. Raporti i Exit vëren se BE harxhoi rreth 4700 euro për metër katror, ndërkohë që çmimet e reklamuara për vilat lëvizin nga 1-2 mijë euro për metër katror.

Çmim dyfish për gjysmën e hapësirës

Ajo që bën më shumë përshtypje për vilën 1,65 milionë prej 345 metrash katrorë të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Europian (institucioni i BE-së që mbikqyr punën e Delegacionit) është puna e madhe hulumtuese që duhet të ketë kërkuar blerja e kësaj vile.

Një kërkim në rrjet për “vilat Rolling Hills për blerje në Shqipëri” të mundëson vetëm me një të rënë të tastierës që të blesh një vilë të mrekulleushme tre katëshe në Rolling Hills për 850 mjë euro. Por me sa duket 600 metrat katrore të kësaj vile i janë dukur shumë Ambasadores.

Pavarësisht kritikës për çmimin e lartë, çmimi i ulët për pastrimin e një vile më të vogël dhe norma më e lartë e amortizimit që do të kishte vila më e madhe do të kompensojnë në kohë çmimin e lartë të blerjes.

Transparenca e sakatuar

Duke ju përgjigjur një kërkese nga ne (të New Europe), zëdhënësja e BE-së për çështjet e jashtme Maja Kočijancič tha se vendimi për të blerë rezidencën e Kreut të Delegacionit në Shqipëri “ishte përfundimi i një analize të gjërë, përfshi një hulumtim tregu dhe vlerësim nga një ekspert i pavarur”. Kërkesës sonë për këto dokumenta, Kočijancič iu pëgjigj se këto “dokumenta nuk janë publike”.

Duke qënë se një studim tregu dhe një analizë e pavarur nuk mund të konsiderohen sekrete tregtare, New Europe ka depozituar një kërkesë zyrtare sipas ligjit për Qasje në Dokumenta duke kërkuar që këto dokumenta të bëhen publike në interes të transparencës.

Sa afër është “shumë afër”? Sa lirë është “shumë e lirë”?

Një nga argumentat dhënë në favor të blerjes me çmim të kripur të vilës është afërsia me Delegacionin. Duke qenë se rizidenca ndodhet jashtë Tirane dhe shumë larg zyrave të BE-së—rreth 8 kilometra larg—ky argument nuk është i besueshëm. Gjithashtu, argumenti çmim/cilësi vështirë të duket bindës, veçanërisht nëse marrim parasysh se Rolling Hills është një kompleks i ri rezidencial, dhe deri më tani asnjë vilë tjetër e shitur atje nuk ka arritur një çmim kaq të lartë.

Sidoqoftë, BE mendon se “duke marrë gjithçka parasysh, ne presim kursime neto në krahasim me skemën e mëparshme të qirasë.”

Me të vërtetë, marrëveshja e mëparshme e qirasë për të njejtën vilë ishte 8 mijë euro në muaj.

Mesatarisht çmimet e qirasë për metër katror për një apartament rezidencë janë rreth 13 euro (ose 4485 euro për 345 metra katrorë të rezidencës). Kjo do të thotë se rezidenca shqiptare e ka kaluar mesataren në mënyrë të ndjeshme duke arritur në 23 euro për metër katror.

Sido që të jetë, 8 mijë euro në muaj është më shumë se sa paguan Komisioni Europian për godinat e zyrave të tij në Bruksel. Dhe Tirana nuk është Brukseli.

Kush negocion?

Referuar rregullave të vitit 2012 të Komisionit Europian është kreu i Delegacionit ai që është përgjegjës për negociatat dhe kontraktimin. Në të vërtetë, siç mund të shihet, për kontratën e blerjes të vilës në Rolling Hills, firmosëse është Ambasadorja. Sidoqoftë, e pyetur nëse kreu i delegacionit kishte vazhduar negociatat e nisur nga një firmë ligjore, zëdhënësja e BE-së pohoi se negociatat të cilat “kishin filluar qysh para emërimit të kreut të Delegacionit, u zhvilluan nga kreu i administratës së Delegacionit dhe u kontrolluan dhe përfunduan nga Shërbimi i Aktiviteteve të Jashtëm të Komisionit Europian.”

Marrëdhënia e Shqipërisë me korrupsionin dhe delegacioni

Kjo çështje e veçantë është shumë e ndjeshme në Shqipëri, ku korrupsionin vazhdon të jetë realitet.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2016 e vendos Shqipërinë në vendin e 86-të, vetëm një pikë më shumë se Mongolia dhe Zambia.

Për më tepër, sipas Raportit të Vlerësimit të Korrupsionit 2016 nga Seldi, “një në dy qytetarë shqiptarë pranon që i është kërkuar direkt apo indirekt rryshfet nga zyrtarët publikë (49,6 për qind). Kjo tregon rritje të trysnisë korruptive të zyrtarëve publikë ndaj qytetarëve krahasuar me vitin 2014 me rreth 5 pikë përqindje.”

Këto fakte janë identifikuar gjithashtu në Raport Progresin e vitit 2016 të Komisionit Europian ku theksohet se “korrupsioni mbetet domiues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”, “nevojiten më shumë përpjekje për të goditur korrupsionin në nivelet e larta”, “administrata e drejtësisë vazhdon të jetë e ngadaltë dhe joefikasë; korrupsioni mbeti dominues në të gjithë sektorin”, “policia ende ndeshet me korrupsion dhe trysni politike, duke penguar hetimet e thella të krimit të organizuar”, “luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet vendimtar për sprapsjen e depërtimit kriminal në sistemet politike, ligjore dhe ekonomike” dhe “nevojitet të përmirësohen përpjekjet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”

Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë gjithashtu ka një histori veprimesh problematike. Sipas Observatorit të BE-së, në vitin 2007 dy italianë, njëri zyrtar i Komisionit Europian dhe tjetri ndihmës në Parlamentin Europian, u arrestuan për korrupsion, me dyshimin për “rryshfet nga kompanitë e pasurive të patundshme dhe sigurisë në shpërblim për kontrata për të marrë me qira, pajisur dhe ofruar shërbime sigurie për godinat e Komisionit në Nju Delhi dhe Tiranë.”

Axhenda e Vlahutinit dhe enturazhi i Ramës

Hulumtimi i metejshëm rreth Ambasadores Vlahutin tregon se Vlahutini bëri deklarata publike që bien ndesh me pozicionin zyrtar të Komisionit Europian në lidhje me përparimin e bërë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë—ndërkohë që qëndrimi i Komisioni ishte shumë më i qartë për hapat që i kërkohet të ndërmarrë Shqipëria.

Një burim në Tiranë i tha New Europe-s se “Vlahutini nuk bën shumë përpjekje për të fshehur mbështetjen e saj për Edi Ramën (Kryeministrin e Shqipërisë). Ndoshta dikush duhet të shikojë se çfarë interesash ka enturazhi i Ramës në Rolling Hills.”

 

Artikulli është botuar sot në gazetën New Europe

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>