Komisioni Evropian ka hapur një hetim mbi planet e kompanisë Facebook për të blerë softuerin Kustomer për shkak të shqetësimeve se marrëveshja do të dëmtojë konkurrencën.
Softueri Kustomer përdoret për menaxhimin e agreguar të marrëdhënieve me klientët.
Në një raportim të Associated Press, Komisioni Evropian deklaron se hetimi ka filluar për shkak të dyshimeve se blerja do t’i lejojë Facebook të mbledhë më shumë të dhëna, që do t’i shfrytëzojë për reklama të personalizuara.
“Hetimi ynë synon të sigurojë që transaksioni nuk do të dëmtojë bizneset ose konsumatorët dhe se çdo e dhënë në të cilën Facebook ka qasje, nuk do të shtrembërojë konkurrencën,” citohet nga AP nënkryetarja ekzekutive e BE-së, Margrethe Vestager në një deklaratë për shtyp.
Në këtë mënyra kompania do të ketë një një avantazh të jashtëzakonshëm ndaj konkurrentëve në tregun e reklamave në internet.
Rrjeti social njoftoi marrëveshjen me Kostumer në nëntor, pasi kërkon të shtojë atributet e softuerit në aplikacionet WhatsApp dhe Messenger, duke shtuar mënyrat se si bizneset mund të ndërveprojnë me klientët.
Facebook u zotua të bashkëpunojë plotësisht me Komisionin Evropian dhe se blerja respektonte konkurrencën.
“Më shumë njerëz do të përfitojnë nga shërbimi ndaj klientit, që do të jetë më i shpejtë, më i pasur dhe i disponueshëm kurdo dhe sido që të kenë nevojë,” tha Facebook.
Marrëveshja po shqyrtohet edhe në Mbretërinë e Bashkuar bazuar në të njëjtat shqetësime mbi cungimin e konkurrencës.