Gazeta franceze “Le Monde” shkruan sot se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë “nuk do të fillojë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në maji 2019. Disa kushte iu paraqitën dy vendeve kandidate nga Brukseli”.
Më poshtë gjeni artikullin e plotë:
Franca mori atë që donte. Bashkimi Evropian u mblodh, të martën më 26 qershor në Luksemburg, për hapjen e një procesi formal të pranimit të Shqipërisë dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, por gjithsesi ky proces nuk do të ndodhë para zgjedhjeve evropiane në maj 2019.
Dhe jo para se të dy vendet të kenë bërë përparim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe në përmirësimin e funksionimit të sistemeve të tyre drejtësisë.
“Kemi zgjedhur një rrugë realiste pasi çështjet që lidhen me zgjerimin janë të ndjeshme në shumë vende”, tha Frans Timmermans, Zëvendëspresidenti i parë i Komisionit Evropian.
Vendimi zyrtar për të hapur negociatat do të bazohet në një vlerësim të Komisionit dhe miratimi, në fund të vitit 2019, do të shqyrtohet në konferencën ndërqeveritare, ku do të duhet të shprehen unanimisht të njëzetë e shtatë vendet pa Mbretërinë e Bashkuar, e cila do të jetë larguar nga Bashkimi.
Vetëm atëherë do të mund të hapen negociatat për tridhjetë e pesë kapitujt e ‘acquis communautaire’, dokumenti që përmban të drejtat dhe detyrimet e Shteteve Anëtare.
Për Parisin, në çdo rast, nuk ka dyshim se çështja e zgjerimit, shumë e diskutueshme në Francë, po i humbet pikë Presidentit Emmanuel Macron në elektorat.
Hollanda, ku opinioni publik është gjithashtu kundër çdo zgjerimi – veçanërisht Turqisë – mbështeti qëndrimin francez.
Rrjedhimisht, kjo solli edhe klimën e tensionuar në të cilën u zhvillua takimi i ministrave të Jashtëm Evropianë dhe sipas fjalëve të ministrit gjerman Michael Roth “lindjen e vështirë” të një konsensusi.
Ministri i Luksemburgut, Jean Asselborn, ka luajtur rolin e ndërmjetësit për të shmangur përhapjen e ndasive të reja evropiane dhe për të imponuar një negociatë dhjetë orëshe.
“Ne duhet të marrim përgjegjësitë tona. Mendoj se do të ishte një gabim politik mosmarrja e një vendim të qartë e të prerë sot “, tha Asselborn, duke theksuar se një sinjal negativ nga Bashkimi mund të rrezikonte marrëveshjen e fundit historike midis Shkupit dhe Athinës.
Maqedonia, që konsiderohet se ka përparuar më shumë në rrugën e anëtarësimit, do të duhet të miratojë me referendum këtë marrëveshje të përfunduar në mes të qershorit për të ndryshuar emrin e vendit në “Republika e Maqedonisë të Veriut”. Rezultati i këtij referendumi mbetet i pasigurt, duke pasur parasysh kundërshtitë e kampit nacionalist.
Por nëse qeveria maqedonase nuk arrin të miratojë amendamentin kushtetues, “ftesa e NATO-s do të anullohet dhe negociatat me BE nuk do të përparojnë”, paralajmëroi Kryeministri grek, Alexis Tsipras.
“Përpjekje të mëdha”
Mbetet pikëpyetja e parashtruar nga Franca dhe Hollanda: A ka gjasa që edhe thjeshtë një aludim për një dritë të gjelbër të mundshme për anëtarësime të reja, që do të krijonte një Evropë me njëzet e nëntë anëtarë, të ushqejë më shumë diskutime populiste.
Në Francë, në çdo rast, e djathta deri tani ka qenë kundër zgjerimit të BE-së dhe i gjithë debati ka treguar se opinioni publik nuk i ka përtypur ende vendet e pranuara në vitin 2007 (Bullgari dhe Rumani) dhe sidomos të vitit 2004, kur dhjetë vende (duke përfshirë Poloninë dhe Hungarinë) iu bashkuan komunitetit në bllok. Këto valë zgjerimesh, të keqpërgatitura, sipas mendimit të shumicës, kanë ndikuar në krijimin e shumë vështirësive që Bashkimi po përjeton sot.
Prej vitesh, Parisi i ka rezistuar përpjekjeve për zgjerim, duke pasur parasysh se me njëzet e tetë vende, Evropa tashmë është gjerësisht e pakontrollueshme.
Presidenti Macron bëri thirrje gjithashtu për një reformë të Komisionit, duke sugjeruar që numri i komisionerëve (një për çdo vend) duhet zvogëluar. “Unë do të mbroj një zgjerim të ardhshëm vetëm nëse do të ketë një thellim dhe një përmirësim të Evropës sonë”, pohoi Presidenti në prill në Strasburg.
Ideja e zvogëlimit të numrit të komisionerëve u rimor më vonë edhe nga kancelarja Merkel dhe madje gjendet dhe në deklaratën e Meseberg, e miratuar në fund të takimit të përbashkët midis dy udhëheqësve të të dy vendeve, të martën më 19 qershor në Gjermani.
“Duhet të pranojmë se Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë përpjekje të mëdha. I bëj thirrje Francës dhe Holandës të tregojnë vullnet të mirë (…). Stabiliteti, paqja dhe demokracia në Ballkanin Perëndimor janë çështje vendimtare për të gjithë ne “, këmbënguli Ministri gjerman i Çështjeve Evropiane përpara takimit të Luksemburgut.
Berlini, ashtu si shumë kryeqytete të tjera, lobon për procesin e zgjerimit, të cilin e sheh si një faktor stabilizues për një rajon që ka mbetur i brishtë pas luftrave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi
Një rajon që për më tepër, i nënshtrohet ndikimeve të Rusisë, Shteteve të Gjirit, Arabisë Saudite dhe Turqisë. Në fakt, Turqia nuk do të vonojë të shfaqet: Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i rizgjedhur të dielën, konfirmoi në shkurt se kërkonte një “anëtarësim të plotë” në Evropë.
Ai, padyshim, nuk do ta shoh me sy të mirë këtë sinjal të ri për Ballkanin, sidomos pasi procesit i negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi – i hapur në 2012 – vazhdon; dhe tani ofrohet një “perspektivë” për shqiptarët dhe maqedonasit, ndërsa Evropa në rastin më të mirë, i ofron vendit të tij një “partneritet” ose “bashkëpunim”.
Ky artikull u botua në “Le Monde”/Përktheu Exit.al