Parlamenti Europian miratoi reformën e Kartës Blu të BE-së duke sjellë lehtësime të mëtejshme në rregullat në aplikimin për të por edhe më shumë avatazhe për mbajtësit e këtij dokumenti.
Karta Blu është krijuar për të lehtësuar punësimin e personave që nuk kanë pasaportë nga një vend i BE-së por që kanë një kualifikim profesional të avancuar.
Me reformën e re, do të lejohen të aplikojnë për Kartën Blu personat që kanë vizë pune 6-mujore në një nga vendet e BE-së, ndryshe nga më përpara ku nevojitej një kontratë pune 12 mujore.
Pragu i pagës për aplikantët është ulur në të paktën 100 përqind dhe jo më shumë se 160 përqind të pagës mesatare vjetore bruto në shtetin anëtar të punësimit (nga minimumi aktual 150 përqind pa asnjë kufi të sipërm).
Mbajtësit e Kartës Blu do të jenë në gjendje të lëvizin në një tjetër shtet brenda BE-së pasi të kenë punuar një vit në shtetin ku janë vendosur fillimisht.
Ata mund të shoqërohen nga anëtarët e familjes pasi tashmë janë lehtësuar kushtet për të bërë bashkim familjar.
Aplikantët duhet të kenë një pagë vjetore të paktën sa paga mesatare vjetore bruto në shtetin anëtar ku aplikojnë. Më parë kërkohej që paga të ishte minumumi sa 150 përqind e pagës vjetore burto.
Azilkërkuesit dhe refugjatët aktualë në BE do të jenë në gjendje të aplikojnë për Kartën Blu në cilido vend anëtar të BE-së, jo vetëm në atë shtet ku ndodhen aktualisht.
Karta Blu është një dokument i cili hyri në fuqi në fund të 2009 përmes të cilit përcaktohen kushtet e qëndrimit dhe punësimit për shtetasit jashtë BE-së.
Parlamenti miratoi reformën e propozuar nga Komisioni që kishte marrë edhe pëlqimin e Këshillit pasi BE ka vlerësuar se ka nevojë për persona të kualifikuar në fusha specifike punësimi.
Sektorët ku kërkohet të tërhiqen më shumë punonjës janë kujdesi shëndetësor dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit.